Policia e Korçës po heton rrethanat e vdekjes së një 78-vjeçari, i cili është gjetur pa jetë në banesën e tij në fshatin Bulgarec.
Sipas të dhënave paraprake, i moshuari është konstatuar me shenja dhune në trup, përfshirë goditje në kokë dhe në pjesë të tjera, çka ka ngritur dyshime për një ngjarje kriminale.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se familjarët e viktimës janë marrë në pyetje, ndërsa u është kërkuar nëse kanë dijeni për persona të dyshuar. Gjithashtu, në polici janë shoqëruar dhe disa banorë të zonës që kishin njohje me të moshuarin.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se një ditë para ngjarjes ishte dëmtuar kabulli i ndriçimit të jashtëm të banesës, çka dyshohet se mund të jetë bërë për të krijuar kushte për një grabitje të mundshme.
Në vendngjarje është gjetur portofoli i 78-vjeçarit, por pa para në brendësi. Sipas burimeve, ai jetonte vetëm me pension dhe nuk kishte të ardhura të tjera.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Pista kryesore mbetet ajo e grabitjes, ndërsa ende nuk është e qartë se çfarë informacioni mund të kenë pasur autorët për viktimën.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për shtetasin G. (M.) V., 78 vjeç, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, bëjmë me dije se:
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh hetimore.
Nga këqyrja e trupit të pajetë rezultoi se kishte dëmtime në kokë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net