Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i dyshuar për grabitje me forcë ndaj shtetaseve të huaja, ndërsa tjetri i dënuar për narkotikë.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit M. A., 25 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas policisë, 25-vjeçari dyshohet se më 8 shkurt 2026, në zonën e Lungomares, u ka vjedhur me forcë dy shtetaseve kazake një celular, një byzylyk floriri dhe 2700 euro. Ndërsa më 4 mars 2026, në lagjen “10 Korriku”, ai dyshohet se i ka marrë me forcë një tjetër shtetaseje kazake një varëse floriri, celularin dhe 4000 dollarë.
Ndërkohë, specialistët e Stacionit të Policisë Selenicë kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit K. D., 34 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim.
Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 3 vjet, 3 muaj e 28 ditë burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net