Afera me inceneratorët 'fantazmë' dhe disa detaje

Afera me inceneratorët 'fantazmë' dhe disa detaje

18:25, 13/12/2023
A+ Aa A-

Afera e inceneratorëve me 178 milionë euro të paguara nga qeveria shqiptare dhe biznesi privat është një nga skandalet më të mëdha të shekullit të hetuar nga SPAK-u. Me dhjetëra persona të arrestuar me akuza të rënda që nga pastrimi i produktit të veprës penale, fshehje pasurie, mashtrim, korrupsion, akuza, të cilat për gjithë personat shkojnë në qindra vite burg.

Për të gjithë ata që përpiqen ta mbulojnë këtë aferë që në fakt janë një grup individësh të paguar nga “truri” i inceneratorëve, Mirel Mërtiri, që po hetohen nga SPAK-u në lidhje me përfshirjen e tyre dhe bashkëpunimin me këtë grup kriminal shqiptarët duhet të dinë thjesht dhe vetëm shumë shkurt disa detaje.

INCENERATORI I ELBASANIT

Image

Kemi një incenerator në Elbasan që ka kushtuar 24 milionë euro, i cili për të funksionuar kërkon 2 milionë euro në vit, ndoshta dhe më shumë dhe në verën e këtij viti në Elbasan plehrat sërish u dogjën.

Pra, me një fjali. U investuan 24 milionë euro dhe duhen disa miliona euro të tjerë që inceneratori i Elbasanit të vihet në punë dhe plehrat sërish digjen.

Cili është avantazhi? Cili është diskutimi dhe debati që duhet bërë? Nuk ka vend për debat. Ka qenë një strategji e gabuar.

INCENERATORI I FIERIT

Image

Çfarë ka për t’u diskutuar për Fierin. U tha se ishin justifikime, por faktet flasin vetë. Edhe në Fier sërish u dogjën mbetjet në verë.

Tym e flakë në zonën e mbetjeve.

LANDFILLI I VLORËS

Image

Shkojmë në Vlorë, që nuk është diskutuar nga mediat.Është ndërtuar një landfill. Kontratën e ka pasur kompania “ITS”.Sërish në Vlorë mbetjet u dogjën. Nuk kishim incenerator, por kishim landfill. Sërish “ITS” e famshme e Klodian Zotos që kishte koncesionin e Fierit.

INCENERATORI “FANTAZMË” I TIRANËS (DETAJE)

Për çfarë të flasësh?! Për kleçka?! Për detaje që nuk kanë asnjë vlerë.

Janë mbi 110 milionë euro të paguara. Vetëm shteti ka paguar 60 milionë euro dhe më shumë ndoshta pasi pagesat vazhdojnë kryhen dhe inceneratori nuk ekziston.

Për çfarë diskutohet? Kur janë hedhur mijëra e mijëra metër kub dhe jashtë landfillit, në pronë të shtetit, në 150 mijë metra katrorë dhe paratë i ka marrë kompania private e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit që kanë shpikur një guackë për të fshehur emrat e tyre dhe mashtruan shtetin duke sjellë kompani të mëdha si Paul Wurth.

Image

E hoqën, më pas ia kaluan kompaninë shtetasit Giuseppe Ciaffaglione. Vetëm ky veprim, pra ndryshimi i aksionerit pa marrë miratimin e qeverisë shqiptare çon në prishjen e kontratës koncesionare.

Më pas ky person ua shet aksionet me një stil të ri me një shpikje, aksionerë të fjetur 9-vjeçarë, një kompanie italiane dhe zvicerane për një arsye që të gjejnë financimin dhe pasi të sigurojnë paratë këto kompani do të fitojnë 25 milionë euro.

Kjo na tregon qartësisht se kompania koncesionare ka ndryshuar aksionerët në dy apo tri forma të ndryshme. Pra nga momenti i firmosjes së kontratës me Paul Wurth ai nuk ekziston më, pastaj shfaqet Ciaffaglione, Klodian Zoto, shfaqjen dhe aksionerët e rinj, një “shpikje” që tregon në fakt se kompania koncesionare nuk ka pasur paratë dhe fondet e duhura për të bërë investimin që kur ka firmosur kontratën. Që këtu kontrata koncesionare ka rënë dhe qeveria shqiptare duhet t’ia kishte prishur me kohë.

Image

DETAJE TË RËNDËSISHME

Në lidhje me pretendimet e tjera që kontrata ka pasur një afat më të gjatë dhe përfundon në 2026.  Ka disa detaje mjaft të rëndësishme. Kontrata koncesionare është firmosur me 31 gusht të 2017, por kompania ka filluar menjëherë punë dhe ka marrë në dorë landfillin. Ka plane televizive, ka fatura të raportuara në tatime, ka kërkesa për rimbursim TVSH-je sërish në tatime.

Pra, kompania e ka marrë në 2017 dhe menjëherë ka filluar nga puna dhe nga ana tjetër është paguar nga qeveria shqiptare që nga dita 0. Që ditën e parë të firmosjes së kontratës, menjëherë sipas afateve, kanë filluar pagesat nga qeveria shqiptare.

Tani jemi në fund të vitit 2023. Janë gati 6 vite e gjysmë kontratë koncesionare të paguar nga qeveria shqiptare dhe inceneratorë nuk ka. Ka kaluar viti i 3-të i investimit dhe sipas kontratës, sipas investimit që duhet të kryente kompania, asaj të firmosur me qeverinë shqiptare, tashmë duhet të ishte gati në përfundim të investimit, pasi ka kaluar më shumë se gjysma e afatit për të ndërtuar inceneratorin. Dhe në rast se do të marrë si datë fillimin e investimit vitin 2020, t’ia falim tri vite meqenëse kompania kështu kërkon e kishte dhe pandemi.

Në 2021, 2022, 2023 pra në tri vite, kompania duhet të kishte investuar gati 80% të fondit total të investimit sipas biznesplanit, me shumë se 100 milionë euro dhe sot në Tiranë duhet të kishte një linjë incenerimi që të digjte mbetjet. Dhe sot në Tiranë incenerator nuk ka.

Pretendohet se janë gjetur paratë për t’i hapur rrugën një mashtrimi që u bëhet shqiptarëve dhe një shantazhi apo kërcënimi që i bëhet qeverisë se do të ketë arbitrazh dhe këta mund të fitojnë. Kjo s’ka për të ndodhur.

Mashtrues, të korruptuar, hajdutër të kapur në flagrancë me kontrata false që fshehin emrat, që përdorin kompani të tjera që shpikin aksionerë të fjetur, që nuk kanë para, që bëjnë korrupsion, që bëjnë evazion fiskal, nuk mund të fitojnë asnjë arbitrazh në asnjë gjykatë të botës.

TRE PIKËPYETJET

Image

Janë thjesht disa të humbur që kanë mashtruar shtetin shqiptar dhe për këtë ka vetëm tri pyetje.

-Këta ishin mashtruesit më të zgjuar, më të rëndësishëm në Shqipëri, Ballkan apo Evropë, që bënë një skemë të tillë?

-Këta njerëz ndanë paratë me zyrtarët e korruptuar të Bashkisë Tiranës dhe qeverisë?

-Apo inceneratori i Tiranës që po mbrohet me kaq zell nga mediat e partisë në pushtet, i cili ka financuar me miliona euro televizionet e fushatave të Rilindjes, portalet e fushatave të Rilindjes, dhe ka marrë makina me qira me dhjetëra mijëra euro gjatë fushatës së vitit 2021, është biznes i partisë në pushtet, i zyrtarëve në pushtet dhe Mirel Mërtiri apo të tjerët janë thjesht dhe vetëm disa hajdutë që po përdoren në skemën e vjedhjes dhe mashtrimit?

Tri janë mundësitë, nuk ka një të katërt.

-Ose janë mashtrues dhe ia futën gjithë shtetit.

-Ose janë bashkëpunëtorë dhe ortakë me shtetin.

-Ose inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston, pra landfilli, kontrata koncesionare 1 miliard euro është biznes i pushtetit dhe qeverisë./cna

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco