Lajmi i fundit

Kampi i refugjatëve të Italisë formalisht nuk ka burgje/ Ja rreziqet që i kanosen Shqipërisë

I penduari i drejtësisë gënjeu, SPAK rrëzon akuzat për dy vrasje ndaj Talo Çelës

I penduari i drejtësisë gënjeu, SPAK rrëzon akuzat për dy vrasje ndaj Talo Çelës

08:38, 30/10/2023
A+ Aa A-

Tërheqja nga versioni i fillestar i dëshmisë nga i penduari Klevis Alla duket se do të nxjerrë të lirë një prej personave më të akuzuar për pjesëmarrjen në dy atentate të tri viteve më parë në Durrës.

Në dy ato krime të rënda u vranë katër persona, mes tyre dy vëllezër pukjan. Po ndërsa Klevis Alla e ndryshoi dëshminë duke humbur favoret e të ‘penduarit’, ai në fakt i dha një shtysë të madhe hetimit dhe tentativës për të hedhur dritë mbi dy pritat fatale që iu morën jetën katër të rinjve.

Klevis Alla, fillimisht pranoi se vrasjet i kishte kryer Talo Çela me Altin Ndocin, por më vonë pranoi se kishte dëshmuar ashtu nga frika se Nuredin Dumani e kërcënonte se do t’i vriste motrën nëse tregonte të vërtetën. Në fakt i riu pranoi të rrëfente sipas udhëzimeve të Dumanit, por ai hodhi dritë mbi shkaqet dhe grupin e personave që policia dhe prokuroria duhej të kuptonin se janë pjesëmarrës.

Megjithatë Alla e humbi statusin e të pandehurit të drejtësisë. Altin Ndoci pritet të mos ketë asnjë akuzë, ndërkohë që për Talo Çelën, thjesht i hiqen akuzat për dy vrasjet në morinë e ngjarjeve për të cilat është i implikuar falë dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Rrëzimi i akuzave

Sipas të dhënave që ka bërë me dije SPAK, dyshohet se Talo Çela mund të shpëtojë nga akuzat për dy vrasjet e ndodhura në prillin e vitit 2020 në qytetin e Durrësit, akuza që në fakt u ngritën pas dëshmisë së të ‘penduarit’, Klevis Alla. Sipas ‘Ora News’, që thotë se ka mësuar përmes burimeve në SPAK, se treshja e prokurorëve të dosjes “Plumbi i artë”, Altin Dumani, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelliu, i janë drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar pushimin e ndjekjes penale për Talo Çelën në 4 vrasje të ndodhura në Durrës.

Akuzat për Çelën, janë pushuar për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj ngjarje e ndodhur në muajin prill 2020 në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdisë e Dorjan Shkozës, ngjarje kjo e ndodhur në fillim të muajit Mars 2020 në Durrës. Megjithëse aktualisht ka një kërkesë për pushim të akuzave, sërish Talo Çela, do vijojë të qëndrojë në kërkim, pasi akuzohet nga Dumani për vrasje të tjera dhe grabitje me armë.

Hetimi për 4 vrasjet ndaj Talo Çelës nisi nga prokuroria e Durrësit dhe më pas u transferua në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Ka qenë i penduari Klevis Alla, ai që deklaroi përpara policisë, se autor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Avdija e Shkoza, ishte pikërisht Talo Çela dhe Altin Ndoci. Kjo dëshmi e Allës erdhi vetëm pak orë para se ai të arrestohej nga policia.

Alla ishte takuar me Nuredin Dumanin, i cili e kishte orientuar e mësuar se çfarë duhet të fliste në polici dhe cilin të akuzonte, madje dëshmitari i drejtësisë tha se edhe ishte kërcënuar me jetën e motrës nga ana e Nuredin Dumanit. Por gati 3 vjet e gjysmë nga ndodhja e 4 vrasjeve, tashmë SPAK mendohet se është bindur se Talo Çela nuk ka asnjë lidhje me dy ngjarjet kriminale të ndodhura në Durrës. SPAK i besoi verbërisht dëshmisë së të penduarit Klevis Alla, por pas arrestimit të Henrik Hoxhajt dhe Nuredin Dumanit, rezultoi se Alla kishte gënjyer për emrat e atentatorëve në dy ngjarjet kriminale.

Alla ka pohuar se vrasjet i ka kryer Talo Çela dhe Altin Ndoci. Por hetimet e kryera dhe nga dëshmia e Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, doli se Çela dhe Ndoci nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen. Nisur nga kjo situatë, SPAK tashmë ka kërkuar në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për Talo Çelën, duke e konsideruar si jo pjesëmarrës në vrasjen e Anxhelo Avdisë, Dorjan Shkozës, Besmir Haxhiaj dhe Viktor Haxhiaj. Pritet që në ditët në vijim pushimi i akuzës të kërkohet në gjykatë dhe për Altin Ndocin, i cili është arrestuar dhe mbahet në burg si autor i dyshuar në këto 4 vrasje.

Kjo është hera e parë në dosjen “Plumbi i artë”, që SPAK çedon zyrtarisht në aspektin e dëshmitarëve të penduar dhe pas disa viteve hetime deklarimet e tyre nuk përputhen me të vërtetën. Në zyrat e SPAK, tashmë janë deklarimet e 4 të penduarve të tjerë. Ndërsa në muajin korrik 2023, SPAK urdhëroi t’i revokonte Henrik Hoxhajt statusin e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, për shkak se ai nuk ishte treguar i sinqertë në rrëfimin për 4 ngjarje kriminale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco