VIDEO-SYRI TV/ Dako në paraburgimin e Durrësit, SPAK nuk ka nisur hetim për pasurinë e tij

16:39, 09/06/2023
A+ Aa A-

Një ditë pasi u njoh me masën arrest në burg për shpërdorim detyre në dy raste, ish-kryebashkiaku i Durrësit po qëndron në të njëjtin sektor të paraburgimit me Alqi Bllakon e Lefter Kokën. Ndërkohë që ai pritet të ankimojë masën shtrënguese në Apelin e Posaçëm, Prokuroria vijon hetimet rreth  tij dhe ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar. Burimet konfirmojnë se gjatë veprimeve, nuk përjashtohet mundësia që ndaj ish-numrit një të Durrësit, të ketë edhe hetim pasuror.

Nga SYRI TV

Vangjush Dako është dërguar në burgun e Durrësit, ku do të qëndrojë për 10 ditë i vetëm në ambientet e observimit pas caktimit të masës së sigurisë arrest në burg ndaj tij, nga Gjykata e Posaçme të enjten.

Burimet konfirmojnë se ish-kryebashkiaku, po qëndron në të njëjtin sektor me disa nga ish-zyrtarët e arrestuar për aferën e inceneratorëve, si Alqi Bllako, Lefter Koka apo Arben Dervishaj. Ish-kryebashkiaku durrsak akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste, ndërsa për të paktën një prej akuzave është provuar plotësisht dhe që ka të bëjë me lejen në kundërshtim me ligjin për pallatin 11 katesh, ndërsa edhe për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare në qytet, ka dyshime të forta se janë kryer veprime të kundraligjshme.

Teksa pritet që Dako të ankimojë masën shtrënguese të arresit në burg në Apelin e Posaçëm, SPAK po vijon veprimet hetimore për dokumentimin e akuzave. Ndërkohë që për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ jo domosdoshmërisht mund të ketë hetim pasuror, por në kuadër të ligjit antimafia, Prokurorisë së Posaçme mund ti lind e drejta ta kryejë edhe këtë procedurë.

Por a është vënë apo do të vihet SPAK në gjurmim të pasurisë së ish-kryebashkiakut socialist?

Burime të besueshme pranë kësaj strukture as nuk mohojnë por gjithashtu nuk pohojnë një fakt të tillë.

‘Për çështje të tilla, përfshirë dhe Dakon, natyrisht që hetimet dhe veprimet hetimore nuk përfundojnë me sigurimin e fakteve dhe ngritjen e dyshimeve të arsyeshme vetëm për të kërkuar një masë sigurie. Ato vijojnë, dhe në momente të caktuara mund të çojnë tek nevoja për të kërkuar edhe të dhëna që kanë të bëjnë jo domosdoshmërisht me pasurinë, por që eventualisht mund të krijohen indicia për diçka që nuk shkon edhe rreth pasurisë’, theksoi burimi.

Ish-kryebashkiaku u la në burg bashkë me 2 të akuzuar të tjerë, ndërsa 4 janë me masë më të butë sigurie si arrest shtëpie apo detyrim paraqitje,  dhe 3 në kërkim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco