Ekzekutimi i Nikulajt/ ‘Porositësi’ del para gjykatës më 8 qershor në Angli. Pritet betejë ligjore për ekstradimin e britanikëve

Ekzekutimi i Nikulajt/ ‘Porositësi’ del para gjykatës më 8 qershor në Angli. Pritet betejë ligjore për ekstradimin e britanikëve

10:45, 02/05/2023
A+ Aa A-

Edmond Haxhia, 37-vjeçari nga Kakarriqi i Lezhës, pritet të dalë parë gjykatës në Angli me 8 qershor.

I vënë nën akuzën e rëndë të financimit dhe organizmit të vrasjes së biznesmenit dhe politikanit lokal, Ardian Nikulaj, lezhjani do të njihet me vendimin që do të paraqitet nga drejtësisë atje për çështjen e ekstradimit të tij. Sipas të dhënave që vijnë nga Londra mësohet se Haxhia është dorëzuar në prani të avokatit të tij britanik, i cili do të ndjekë gjithë procedurën ligjore ndaj klientit të tij, në Britani dhe në Shqipëri.

Po ashtu në data të ndryshme priten të shqyrtohen kërkesat edhe për katër personat e tjerë të ndaluar nga policia britanike, ndërkohë që presin tu shkojnë dokumentacionet e Prokurorisë së Lezhës për të nisur edhe shqyrtimin e të gjithë materialit. Po ndërkohë që të gjithë të ndaluarit atje kanë mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen ne ngjarjen e 19 prillit në Shëngjin, Policia dhe grupi hetimor që po merren me ngjarjen kanë hedhur të dhëna të tjera ditën e djeshme, të dhëna që janë shoqëruar edhe me pamje filmike.

Faktet e reja sipas policisë

Një material filmik i hedhur ditën e djeshme në media, por që në fakt ka ditë që ka bërë xhiro nëpër rrjetet sociale, tregon Ruben Saraivan teksa qëndronte në Shkodër me një grup të rinjsh dhe shante Edi Ramën. Grupi hetimor e ka përzgjedhur si fakt të ri në hulumtimin për provat e reja që lidhen me ekzekutimin e 51-vjeçarit, Ardian Nikulaj, mesditën e 19 prillit në lokalin e tij. Po ashtu bëhet me dije se në disa pamje filmike, të nxjerra nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë, shihen shtetasit e huaj, të dyshuarit për përfshirje në krim duke drekuar me të zotin e restorantit, që më pas iu mor jeta, ndërkohë që personi që akuzohet dhe kërkohet si informatori i vrasësit portugez, sipas policisë, luante bilardo me fëmijët e familjes Nikulaj brenda ambienteve të godinës në pronësi të tij.

Të gjitha këto detaje dhe shumë pamje të tjera që janë siguruar në shumë vende, mësohet se po i bashkëngjiten dosjes hetimore që do të niset në drejtim të Britanisë për të bindur gjykatën atje që të lejojë ekstradimet e të akuzuarve nga policia jonë. Por ditën e djeshme, ka qenë një media britanike që ka bërë me dije se sherri mes viktimës dhe shqiptarit të akuzuar si organizator ka ndodhur për një shumë parash në vlerën e 80 mijë paundëve. Ndërkohë që japin këtë fakt, media thotë se më pas ndodhi edhe vrasja për gjakmarrje, duke dhënë dy linja që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën.

Megjithatë pritet që prokuroria dhe gjykata në Britani të verifikojë jo vetëm fakte, prova e dëshmi që do të shkojnë nga Shqipëria, por edhe pretendimet e të gjithë personave që janë të arrestuar momentalisht. Gjithashtu një provë e fortë mësohet se është motori, i cili do të jetë i fiksuar me foto që do tu vihet në dispozicion autoriteteve britanike, si për të dëshmua lidhjen e Haxhiajt me ekzekutorin si dhe me britanikun informator. Sipas policisë, Haxhia i ka pritur në Rinas turistët e huaj të cilët akuzohen se edhe kanë kryer ekzekutimin e biznesmenit.

Pas ngjarjes

Policia, në fakt, e adresoi shumë shpejt ngjarjen në pistën e gjakmarrjes. Edhe pse ndodheshin para një presioni të madh nga faktori politik por edhe nga opinioni publik, për shkak të asaj që përfaqësonte viktima, policia dhe prokuroria nuk ngurruan për asnjë çast ta linin vrasjen në pistën e gjakmarrjes, duke rikthyer jo vetëm përplasjet e vjetra, të panjohura ende nga drejtësia jonë, por duke provokuar edhe të reja. Orëve të pasdites së djeshme, informacionet e ardhura nga Lezha treguan se familja e Nikulajve ka dërguar fjalë në familjen Haxhia se çështjen ia kanë lënë drejtësisë.

Zyrtarisht policia e Lezhës e mohon faktin të ketë persona të ngujuar. ‘Panorama’ kontaktoi pjesëtarë të familjes Haxhia, të cilët mohuan në mënyrë kategorike të kenë marrë ndonjë kërcënim për ngujim nga ana e familjes së viktimës. Sipas tyre asnjë person nuk është ngujuar deri më sot. Policia dhe grupi hetimor, në fakt, duhej të merrnin masa konkrete para se sa të dilnin në motivin e gjakmarrjes për të hedhur dritë mbi vrasjen e biznesmenit Nikulaj.

Të huajt që vrasin në Shqipëri Për prishje pazaresh apo rivalitet kontraktohen vrasës të huaj që pavarësisht përgatitjes deri në detaje të vrasjeve janë zbuluar nga autoritetet. Rasti i parë i një vrasësi të huaj në Shqipëri është shënuar më 27 maj 2015 ku në bulevardin “zogu i pare” ndodhi një vrasje e 3- fishtë, ndërkohë që Tirana ishte e blinduar me forca policia për mbarëvajtjen e vizitës së presidentit serb. Autor për ngjarjen u zbulua se ishte vrasësi gjakftohtë Salvatore Letizia dhe Besnik Sulku të cilët sulmuan me armë automjetin me të cilin lëvizte Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj, të cilët ndërruan jetë në vendngjarje.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes vrasësit italian pjesë të klaneve të Camorrës dhe nipave të viktimës u qëllua për vdekje dhe ideatori i sulmit Besnik Sulku. Vrasësi italian u arrestua në një hotel pranë vendit të ngjarjes pak minuta më vonë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Tri vite më vonë në janar të 2018 një tjetër vrasës i huaj do të kryente një ekzekutim gati perfekt. Ish-anëtari i forcave special greke Eftimio Eftimiu kundrejt pagesës erdhi në Shqipëri dhe qëlloi për vdekje jashtë pallatit ku banonte Devi Kasmin. Një muaj më vonë ai u vu në pranga dhe u dënua nga gjykata me burgim të përjetshëm.

Importimi i fundit i vrasësve me pagesë, dyshohet se ka ndodhur nga Portugalia dhe Anglia të cilët u kontraktuan për ekzekutimin e Ardian Nikulajt, vrasje kjo që ishte refuzuar të merrej përsipër nga grupet shqiptare. Disa ditë pas ngjarjes 4 prej 6 anëtarëve të këtij grupi kriminal përfshi edhe porositësin ranë në pranga. Në kërkim mbeten 32-vjeçari britanik Harry Simpson dhe ekzekutori i Ardian Nikulajt portugezi, Ruben Saraiva i cili dyshohet se fshihet në Greqi, shtet me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco