Zbulohen dhe bastisen në Fier tri baza prostitucioni, arrestohen pronarët e lokaleve dhe hotelit

Zbulohen dhe bastisen në Fier tri baza prostitucioni, arrestohen pronarët e lokaleve dhe hotelit

09:04, 01/03/2023
A+ Aa A-

Policia e Fierit ka zbuluar tri baza prostitucioni në këtë qytet, dy lokale dhe një hotel dhe i ka vënë prangat katër personave, pronarë të këtyre bizneseve, dy burra dhe dy gra. Konkretisht, Nesti Golemajt dhe Besiko Molishtarit, Naxhie Aliajt dhe Tajar Hysenajt.

Policia e Fierit njoftoi sot se pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, të mbështetur nga shërbimi sekret, siguruan prova për disa ambiente të vëna në dispozicion të ushtrimit të prostitucionit.

Në bazë të këtyre provave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 persona që kishin në administrim lokale dhe hotele vënë në dispozicion për ushtrim të prostitucionit.

Pas caktimit të këtyre masave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier organizuan operacionin e koduar “Bazat”.

Si rezultat i këtij operacioni, u ekzekutua masa e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe "Shfrytëzimi i prostitucionit", për 4 persona, banues në Fier, konkretisht:

-N. G., 69 vjeç dhe B. M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”;

-N. A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen  “Kastriot”;

-T. H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”.

Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Bazat”, rezultoi se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës maj 2022-shkurt 2023, kishin vënë 2 lokalet dhe hotelin që kishin në pronësi, në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 8 shtetas, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari.

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco