U kap me Doklen/ Murati mbetet në burg, sekuestrohet mjeti i blinduar

U kap me Doklen/ Murati mbetet në burg, sekuestrohet mjeti i blinduar

10:27, 11/10/2022
A+ Aa A-

Në një seancë të panjoftuar nga Gjykata e Tiranës, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura nga gjyqtarja Migena Laska, lihet në burg Fatjon Murati, i arrestuar të shtunën në Tiranë.

Gjyqtarja konfirmoi pretencën e Prokurorisë për ta lënë në burg 32-vjeçarin, i cili u kap bashkë me Endrit Doklen e Gentian Reçin, por këta të fundit u liruan pas marrjes në pyetje.

Murati u shoqërua dhe më pas u prangos në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pasi ndodhej në kërkim policor pas një operacioni për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje, në kuadër në kuadër të të cilit ranë në pranga Kristian Gjini dhe Françeska Kolgjegja, pasi në dy apartamente që përdoreshin prej tyre u gjetën armë dhe municione.

Sipas të dhënave mësohet se gjatë deklarimeve të dy të shoqëruarit së bashku me Muratin kanë mohuar të kenë pasur dijeni se ai ishte person në kërkim, ndërsa urdhër-arresti për Muratin ishte aktiv prej 12 korrikut të këtij viti.

Sipas kërkesës së prokurorisë Fatjon Murati kërkohej për llogari të hetimeve të ngjarjes së 12 korrikut 2022, në të cilën është arrestuar edhe shoku i tij Kristjan Gjini. Gjini dhe Murati akuzohen për armëmbajtje dhe prodhim pa leje të armëve luftarake.

Ditën e ndalimit të Dokles, Reçit dhe Muratit, Policia ka sekuestruar edhe një automjet të blinduar, për të cilin është vendosur masa e sekuestros, pasi pronari i tij është një shtetas bullgar dhe po verifikohet dokumentacioni. Me ndryshimet ligjore automjetet e blinduara janë të ndaluara të përdoren vetëm kur pas kërkesës, leja miratohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Kjo është hera e dytë në pak muaj që Dokle shoqërohet në Polici, pasi ai është paraqitur disa javë më parë edhe në Policinë e Kurbinit, ku në prani të avokatit ka dhënë deklarime për zhdukjen e Ervis Martinajt. Në atë dëshmi, Dokle mohoi të kishte konflikte me Martinaj apo dijeni për zhdukjen e tij duke thënë se as e njihte personin.

Dëshmia e Dokles para hetuesve erdhi pasi Nuredin Dumani rrëfeu para prokurorëve të SPAK se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro nëse do ta vriste Doklen, duke e bërë kështu Martinajn edhe si një nga më të kërkuarit në vend, por që Policia dështoi ta prangoste sa herë mori rrugën për në zonat e Laçit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco