Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ditë më parë ka treguar se planifikojnë të reduktojnë praninë ushtarake në Kosovë në numrat e para vitit 2023. Rutte ka thënë se prania e KFOR-it do të zvogëlohet nga 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 500 ushtarë. Kjo për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë.
Megjithatë ende s’dihet se cilat shtete kontribuuese do të përfshihen në këtë proces të përshtatjes së pranisë ushtarake të KFOR në Kosovë.
Zëdhënësi i Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, koloneli amerikan Martin L. O’Donell, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express i pyetur për këtë zvogëlim të planifikuar të pranisë ushtarake në Kosovë, ka thënë se kjo s’ka të bëjë me numra, por me përshtatje dhe garantim të sigurisë për Kosovën dhe rajonin.
“Nuk ka të bëjë me numrat, ka të bëjë me optimizimin dhe me garantimin e sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe në rajon më gjerësisht.”, ka thënë koloneli amerikan Martin L. O”Donell për Express.
Lidhur me këtë temë, një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s ka thënë për Gazetën Express se sa i përket kontributit me trupa në KFOR të vendeve aleate, pyetjet duhet t’iu drejtohen vetë shteteve kontribuuese.
Siç e ka cekur edhe Sekretari Rutte, pritjet janë për t’u kthyer tek numrat e para vitit 2023.
Ky zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s ka sqaruar se derisa do të shkohet drejt këtij procesi të reduktimit të trupave, do të bëhen vlerësime të sigurisë në mënyrë të vazhdueshme.
Ai s’ka përjashtuar që varësisht nga situata e sigurisë, trupat edhe mund të rriten.
“Vlerësimet e mjedisit të sigurisë do të bëhen vazhdimisht ndërsa kjo ndodh. Nëse kërkohen rregullime shtesë, në një drejtim ose në tjetrin, bazuar në vlerësimin tonë, ne do t’i bëjmë ato, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen ashtu siç bëjmë”, ka thënë ky zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s për Gazetën Express.
Ai në fund ka thënë se është e rëndësishme që të theksohet se lëvizje të numrave të trupave ka pasur edhe në të kaluarën dhe se prania ushtarake e KFOR-it është përshtatur varësisht nga situata e sigurisë.
“Është e rëndësishme të theksohet se kjo ka ndodhur edhe më parë. Struktura e KFOR-it është përshtatur si në drejtim të rritjes, ashtu edhe të zvogëlimit të pranisë së tij, në varësi të situatës së sigurisë”, ka sqaruar ky zyrtar i lartë ushtarak.
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se KFOR-i aktualisht ka 4 mijë e 700 ushtarë dhe se pritjet pas përshtatjes së pranisë janë që të shkojë nga 3 mijë deri në 3 mijë e 500 trupa.
“Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa. Dhe, mendoj se duke pasur për bazë përmirësimin e situatës, KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, ka deklaruar Rutte./GazetaExpress/
© SYRI.net