KQZ: Aprovohen gati 110 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës

KQZ: Aprovohen gati 110 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës

12:21, 18/05/2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga 6 deri më 17 maj 2026 janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim për votim jashtë Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se deri tani janë aprovuar 109,696 aplikime, 7,325 janë refuzuar, ndërsa 25,702 mbeten në shqyrtim.

“Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, ka thënë Elezi, duke shtuar se votimi përmes postës është mënyra më e preferuar për të votuar.

Nga aplikimet e aprovuara, 81,901 qytetarë janë regjistruar për dërgimin e fletëvotimeve në adresat postare jashtë Kosovës.

Ndërkaq, 2,855 janë regjistruar për dërgim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 24,940 për votim fizik në përfaqësi diplomatike.

“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët. Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.

Ai tha se KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor.

“Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ”, tha ai.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco