Udhëheqësit në detyrë të Kosovës e kanë shtyrë të premten Këshillin Gjyqësor (KGJK) të vendit të bëjë kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë të cilët tani duan të kthehen në punë, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian për të mos i bërë trysni institucionit të pavarur të gjyqësorit.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij në Prishtinë, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se largimi i serbëve, përfshirë gjyqtarëve, nga institucionet e Kosovës më 2022 ishte “akt i organizuar politik” dhe se kthimi i tyre në punë tani do të binte ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Më herët, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje KGJK-së “të mos bjere pre e ndikimeve të askujt, qoftë vendore apo ndërkombëtare”, dhe t’i dërgojë asaj kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë.
Shtytja e tyre vjen në ditën kur KGJK-ja po mbante një mbledhje, ku mes tjerash do ta shqyrtonte edhe këtë çështje, por takimi dështoi në mungesë të kuorumit.
Dështimi erdhi pasi mes anëtarëve nuk pati pajtueshmëri për largimin e një pike nga rendi i ditës, teksa disa të tjerë kërkuan që pika e dorëheqjeve të ishte e para.
Rreth 130 prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ky veprim - i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t'i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.
Kurti tha të premten se “ne kishim të drejtë politike t’iu themi atyre mos shkoni, por nuk kemi të drejtë ligjore e kushtetuese t’iu themi kthehuni”.
“Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës dhe ligjit, veçmas kur braktisja ishte akt sabotimit i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë policia e Kosovës dhe ditë më parë Këshilli Prokurorial. Presim që Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e radhës t’i japë përfundim të njëjtë kësaj çështje”, tha Kurti.
Ndërkohë, në një konferencë më herët gjatë ditës, Haxhiu tha se KGJK-ja, në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk ka kompetencë që të kthejë gjyqtarët serbë në punë, dhe i kërkoi ta ndjekë shembullin e Këshillit Prokurorial që i kërkoi asaj të lirojë nga detyra prokurorët dhe stafin administrativë serbë.
“Imagjinoni të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të një shteti tjetër”, tha Haxhiu.
Haxhiu po ashtu kritikoi faktorin ndërkombëtar, duke thënë se po bën “presion” mbi KGJK-në dhe KPK-në për çështjen e dorëheqjeve.
Një ditë më parë, Bashkimi Evropian kërkoi që partitë politike të mos i bëjnë presion KGJK-së në vendimarrje, pasi disa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kërkuan që këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.
“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtarë, që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër”, tha Haxhiu, duke pyetur po ashtu se kush nga ndërkombëtarët do të kërkonte nga këshillat që të veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Haxhiu tha se pas aktit të dorëheqjes, nuk është në vullnetin politik e as në vendimet e këshillave që të zhbëhet ky vendim.
Por, çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, Haxhiu kërkoi nga KGJK dhe KPK që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Sipas saj, këshillat e kanë obligim ligjor që t’ia dorëzojnë asaj emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqje, me qëllim që ajo, përmes dekreteve t’i lirojë nga detyra.
Lirimi nga detyra i prokurorëve serbë
Më 21 korrik, Haxhiu liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022.
Vendimi i saj u mor pasi KPK refuzoi kërkesat e pesë prokurorëve dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.
Vendimi u kritikua nga BE-ja.
Të premten në konferencë, Haxhiu tha po ashtu se ka informacione që disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë që kanë dhënë dorëheqje janë paguar nga Serbia, duke pretenduar se disa ende vazhdojnë të paguhen.
Ajo mandje pretendoi se ka dyshime që ata të jenë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme dhe janë ndikuar nga Serbia gjatë administrimit të drejtësisë.
"Ka shumë raste, ku disa prej tyre janë edhe publike, ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve" në Kosovë, tha Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentit tha se uron që KGJK-ja të mos marrë vendim, që sipas saj nuk është në përputhje me ligjin, pasi shtoi se do të ishte një "precedent i rrezikshëm". Megjithatë, ajo tha se sapo t'i ketë emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, do të dekretojë lirimin e tyre.
Haxhiu tha se dyert e institucioneve të Kosovës janë të hapura për serbët që nuk ndikohen nga Serbia, duke shtuar se KPK veçse ka njoftuar për hapjen e një konkursi të ri dhe KGJK duhet të veprojë po njësojë.
Më herët, Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë./REL
© SYRI.net