Kosovë/ PZAP-ja lë në fuqi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e opozitës serbe

Kosovë/ PZAP-ja lë në fuqi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e opozitës serbe

16:31, 16/05/2026

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë ankesën e listës së përbashkët të partive opozitare serbe në Kosovë, “Bashkë fitojmë”, ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar atë për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

PZAP-ja tha të shtunën se, pasi bëri vlerësimin e ankesës dhe provave, erdhi në përfundim se ankesa e opozitës serbe ishte “e pabazuar dhe e paqëndrueshme”.

Ajo tha se lista “Bashkë fitojmë” kishte dështuar t’i plotësonte kushtet e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm edhe pasi KQZ-ja i kishte kërkuar ta bënte një gjë të tillë.

Komisioni Zgjedhor nuk e certifikoi atë ditë më parë pasi gjeti se ajo nuk e kishte përmbushur kriterin ligjor për numrin e nevojshëm të nënshkrimeve prej të paktën 1.000 sosh.

Në listën e “Bashkë fitojnë” kishte kandidatë nga gjashtë subjekteve politike opozitare serbe në Kosovë: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re dhe Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare Veriu për të Gjithë dhe Rrënjët.

PZAP theksoi se komisioni kishte konstatuar se kjo listë i kishte dorëzuar 1.087 nënshkrime mbështetëse, por për 576 prej tyre mungonin numrat e telefonit, ndërsa 80 njerëz nga lista e nënshkrimeve nuk ishin të qasshëm në numrat e dhënë. Madje, sipas saj, disa kishin deklaruar se nuk kishin nënshkruar personalisht.

KQZ nuk e certifikoi përfundimisht listën “Bashkë fitojmë” edhe pasi i kërkoi ta plotësonte listën e nënshkrimeve, duke thënë se ajo kishte dështuar ta dorëzonte atë brenda afatit të kërkuar.

Lista “Bashkë fitojmë” mund të ankohet në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimit të PZAP-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco