Katër parti politike nuk i kanë dorëzuar listat me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Reporteri.net se kanë pranuar listat nga 23 subjekte politike.
Afati për dorëzim ka përfunduar mbrëmë në orën 24:00.
“Gjatë periudhës 11-ditore (2 maj – 12 maj 2026) KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga: 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. 4 parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, ka deklaruar Elezi.
Në total janë 917 kandidatë për deputetë, prej të cilëve 603 burra dhe 314 gra.
Sipas planit të KQZ’së, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pritet të përmbyllet deri më 15 maj.
Paraprakisht emrat do t’i nënshtrohen verifikimit.
“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, ka shtuar Elezi.
© SYRI.net