VIDEO/ Behrami: Kurti po kërkon zgjedhje për t'i shpëtuar Marrëveshjes së Ohrit

20:13, 28/04/2026

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, duke folur edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka folur hapur për bllokimin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës dhe ka ngritur akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Behrami shpjegoi se presidenti i Kosovës tradicionalisht zgjidhet në dy mënyra, ose përmes konsensusit të plotë të partive politike, si në rastin e Atifete Jahjagës, ose përmes marrëveshjeve koalicioniste.

Sipas tij, Kurti ka tentuar të krijojë një model të ri, të pashkelur, duke kërkuar nga opozita vetëm një emër kandidat që të garojë kundër kandidatit të tij, duke shfrytëzuar rregullin kushtetues që presidenti në raundin e tretë zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

‘Ky është një mashtrim optik i opinionit publik,’ tha Behrami, duke shtuar se Kurti nuk ka kërkuar as marrëveshje politike dhe as konsensus të vërtetë.

‘Po ju tregoj, për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe shqiptarët në hemisferën shqiptare kudo që jetojnë. Republika e Kosovës i zgjedh presidentët e saj në dy forma, në dy rrugë, në dy mënyra.

Tradicionalisht, në Kosovë presidenti është zgjedhur në ne përmes konsensusit të plotë të partive politike, siç ka ndodhur në rastin Jahjaga, ose përmes marrëveshjeve politike, pra koalicioneve ku ti e ndan pushtetin edhe në qeveri, edhe në presidencë. Dhe Kurti është munduar që të krijojë një rrugë të pashkelur, një rrugë të paqenë, një kornizë të cilën asnjëherë nuk e kemi pasur më herët.

Dhe Kurti ka thënë, ‘Ma jepni ju një emër, sepse unë e kam emrin tim.’ Dhe kjo tek qytetarët mund të tingëllojë dhe logjike. Mirëpo, sipas rregullave dhe procedurave kushtetuese, në raundin e tretë presidenti zgjidhet me votë të shumicës. Pra, Kurti është munduar të përdorë këtë mashtrim optik të opinionit publik dhe nga ne nuk ka kërkuar marrëveshje politike, as nuk ka kërkuar marrëveshje për konsensus.

Ai ka kërkuar një emër që ta fusë në garë me emrin e tij, i cili në raundin e tretë pak a shumë që do të dalë fitues. Mirëpo, kjo tregon edhe një herë se si Kurti jo vetëm që e sheh opozitën, por se si i sheh edhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai mendon që qytetarët e Republikës së Kosovës janë njerëz që nuk i kuptojnë procedurat. Mirëpo, në Kosovë ka mjaftueshëm kulturë politike dhe kjo kulturë politike është etabluar në shoqërinë tonë dhe të gjithë e dinë se si është zgjedhur presidentët deri më tani.

Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës që nga fillimi, që nga fillimi ka insistuar për një emër konsensual. 75 ditë Albin Kurti ka humbur, nuk ka negociuar dhe tash në orët e fundit mundohet që të bëjë drama, siç thashë, të viktimizimit dhe të fajësimit.

75 ditë ai nuk ka folur për presidentin. Renditjen kur ka ardhur menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, e ka pasur që duhet të ketë konstituim të Kuvendit, duhet të ketë zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, duhet të ketë zgjedhje të qeverisë, buxhet dhe pastaj presidenti.

Në fakt, është dashur presidenti të zgjidhet i parë, sepse afatet kushtetuese kanë qenë të njohura dhe ai nuk e ka bërë asnjë hap, sepse ky njeri nuk njeh kompromis, nuk njeh dialog, ai njeh diktat dhe ai edhe më tutje po udhëhiqet nga tendimet, nga tundimet autokrate. Mirëpo, Republika e Kosovës ka ndërtuar institucione aq të forta saqë do t'i bëjë ballë këtyre tundimeve autokrate.

Dëgjo vetëm të qartësoj se çfarë kërkon Kurti për ta kuptuar. Kurti ka pranuar në Ohër një marrëveshje që është marrëveshja më e dëmshme në historinë e Republikës së Kosovës. Dhe ai e di se çfarë ka pranuar. Dhe duke u frikësuar nga jetësimi i saj, duke u frikësuar nga Shtëpia e Bardhë, duke u frikësuar nga përgjegjësia që ka përballë Bashkimit Evropian, ai po mundohet që të krijojë kriza politike dhe që të krijojë parakushte për zgjedhje.

Pse? Sepse Kurti po mundohet të mbajë ushtrues detyre si kryeministër, ushtrues detyre të presidentes, dhe kështu ai të ketë pushtetin në dorë, të ketë xhipat e tij të blinduar mbi 500 mijë euro në dorë, që të ketë para që të shpenzojë dhe të blejë vota me to, por mos të ketë përgjegjësi për implementimin e kësaj marrëveshje, e cila është e dëmshme për Republikën e Kosovës.

Prandaj, synimi i zotit Kurti është me na çuar në zgjedhje, jo vetëm në këtë vjeshtë, dhe ju më të më mbani për fjalën. Zoti Kurti do të na çojë në zgjedhje në këtë verë. Kurti, nëse e ka fuqinë në parlament, do të na çojë në zgjedhje në vjeshtë dhe në dimër. Kurti do të na çojë edhe në pranverë.

Për sa është Donald Trump, për sa është Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kurti do të mundohet të qeverisë me ushtrues detyre. Sepse kjo është platforma për i ikë përgjegjësisë të jetësimit të marrëveshjes së dëmshme që ai vetë e ka pranuar, e që parasheh autonomi substanciale për serbët në veri dhe ekstrateritorialitet për gjashtë asetet e Kosovës’, u shpreh Artan Behrami në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco