Kryeministri Albin Kurti ka folur sot pasi që partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje i bëri ftesë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.
Kurti sot para mediave ka deklaruar se me një gatishmëri për të ecur përpara, kanë bërë edhe një hap më shumë.
“Jemi të vetmit që kemi ndërmarrë hapa deri tani. Të gjitha takimet me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së i kemi iniciuar ne; asnjë takim nuk e kanë thirrur ata. Sido që të jetë, kam pasur edhe refuzime për takime dhe oferta. Tani, hapi i ri që kemi ndërmarrë duhet të konkretizohet deri nesër në mbrëmje, pasi afatet janë të tilla. Propozimi ynë është që LDK-ja dhe PDK-ja, si dy parti më të vjetra se VV-ja, të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, figura me reputacion për integritet qytetar dhe kombëtar, si dhe me kontribut profesional në shoqëri. Për këta tre emra mund t’u sigurojmë mbi 90 nënshkrime”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi tutje se nëse opozita i sjell tre emra konsensual, atëherë kandidatët e partisë së tij do të tërhiqen.
“Të na sjellin tre emra jashtë skenës aktuale politike, atëherë dy kandidaturat tona, Konjufca dhe Mulhaxha, do të tërhiqen. Pra, kërkojmë që deri nesër në mbrëmje të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike dhe, në atë rast, ne do të tërhiqemi. Ne po presim tre emra prej atyre dy partive së bashku. As LDK-ja dhe as PDK-ja nuk i kanë deputetët për ta propozuar kandidatin e vet”.
“LDK-ja mund të propozojë “gjysmë kandidati”, mund të propozojë dy të tretat e një kandidati. Prandaj, këto dy parti së bashku duhet të na sjellin tre kandidatë, me kusht që asnjëra prej tyre të mos i bëjë nënshkrimet për kandidatin e vet. Ne po bëhemi bashkë dhe ata duhet të na sjellin kandidatë jashtë skenës politike, me kontribut në shoqëri. Janë dy parti më të vjetra dhe figurat senior i njohin edhe më mirë se ne. Ka shumë profesorë në universitete që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë e sakrifikojnë. Nuk mund të thonë që këto dy parti nuk mund të dalin me tre emra”, tha Kurti.
Ai kishte dhe një kërkesë tjetër për opozitarë.
“Nëse nuk duan të takohen me mua, le të takohen mes vete. Nga tre kandidatët, asnjëri nuk duhet të jetë propozim i tyre individual. Të hënën mund ta vendosim”, tha Kurti.
© SYRI.net