'Burg të përjetshëm Thaçit'/ Kurti distancohet nga deklarata e Fatos Gecit: Gjuha e përdorur e papranueshme

'Burg të përjetshëm Thaçit'/ Kurti distancohet nga deklarata e Fatos Gecit: Gjuha e përdorur e papranueshme

17:31, 22/04/2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit Fatos Geci, i cili kishte bërë një koment të rëndë ndaj Hashim Thaçit, duke i uruar atij fatin e Naim Murselit. Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt.

Kurti u shpreh se nuk pajtohet me gjuhën e përdorur nga Geci dhe rikujtoi qëndrimin kritik të tij ndaj Gjykatës Speciale, të cilën e cilësoi si jo transparente dhe të pazakontë. Ai theksoi se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK që po gjykohen në Hagë, duke i konsideruar proceset ndaj tyre si të padrejta.

Duke iu referuar situatës në Kuvend, Kurti përmendi ndërhyrjen e Albulena Haxhiut, e cila i tërhoqi vërejtjen Gecit dhe ia ndërpreu fjalën për shkak të gjuhës dhe përmbajtjes së deklaratës.

Kryeministri shtoi se, përtej rolit të tij si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka kompetenca disiplinore ndaj deputetëve të partive të tjera, duke u distancuar kështu nga deklarata e Gecit.

Ai gjithashtu rikujtoi pjesëmarrjen në një protestë të mbajtur në Prishtinë me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku u shpreh solidaritet me ish-drejtuesit e UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë. Në atë tubim, Kurti deklaroi se, ndonëse beson në drejtësi, nuk duhet lejuar rishkrimi i historisë së luftës, të cilën e cilësoi si çlirimtare dhe antikoloniale.

“Ju e dini qëndrimin tonë për Gjykatën Speciale e cila është një gjykatë jonormale, jo transparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e së cilës ishte UÇK-ja dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ju ishit dëshmitarë që kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, ia ndërpriti fjalën, ia tërhoqi vërejtjen deputetit Geci edhe për shkak të gjuhës edhe komentit që bëri.

Ai u distancua edhe më shumë nga komenti i Gecit, duke shtuar: “Unë jam vetëm kryetar i LVV-së dhe kryeministër, nuk jam kryetar i ndonjë komisionit disiplinor. Aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër”, tha kryeministri. Kujtojmë se Kurti ishte i pranishëm edhe gjatë protestës në Prishtinë që u mbajt në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së të cilët ndodheshin para Gjykatës së Hagës duke paraqitur deklaratat përmbyllëse.

“Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale,  tha Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco