A do të arrihet marrëveshja nesër mes Kurtit dhe Abdixhikut për presidentin? Çfarë thanë më 6 prill?

A do të arrihet marrëveshja nesër mes Kurtit dhe Abdixhikut për presidentin? Çfarë thanë më 6 prill?

22:39, 19/04/2026

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nesër nga ora 11:00 do të zhvillojnë takimin e dytë për çështjen e presidentit, pas atij të 6 prillit.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, e ka konfirmuar për Reporteri.net mbajtjen e takimit nesër në Kuvendin e Kosovës.

Ky takim do të jetë tentativa e dytë për të gjetur një zgjidhje për presidentin, pasi në takimin e parë dolën pa ndonjë marrëveshje.

Por çfarë deklaruan Kurti e Abdixhiku pas takimit të parë për mediet që u zhvillua më 6 prill?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para dy javësh takimin me Abdixhikun e përshkroi si konstruktiv, për të cilin tha ishte përqendruar kryesisht te zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

“Qëllimi i përbashkët është shmangia e zgjedhjeve të reja”, tha Kurti.

Kurti  tutje kishte deklaruar se për një zgjedhje të bindshme të kreut të shtetit nevojitet një shumicë më e madhe, rreth 84 apo 85 deputetë pasi 80-81 sipas tij, nuk është e mjaftueshme.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi para dy javësh se takimi me Kurtin është zhvilluar në frymë diskutimi për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Ai tutje kishte deklaruar se LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se pushteti nuk duhet të përqendrohet në një parti të vetme.

“LDK vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Për çështje tjera kemi dakordim për konfidencialitet mes palëve”, kishte thënë Abdixhiku.

Ai kishte bërë të ditur se aktualisht nuk ka ende marrëveshje konkrete, por po vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje përmes dialogut.

“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët konsensuale me takime dhe do ta ndjekim këtë rrugë sa herë të mundemi për të shmangur zgjedhjet”, ishte shprehur ai para mediave.

Abdixhiku shtoi se diskutimet deri tani janë fokusuar në parimet bazë të procesit, e jo në emra konkretë.

“Njëherë duhet të merremi rreth parimeve të procesit, pra a duhet të kemi një situatë ku të gjitha pozicionet institucionale i takojnë një partie politike, e më pas nëse jo, si do të duket kjo marrëveshje”, kishte pohuar Abdixhiku.

Sipas tij, ende nuk është arritur në fazën e diskutimeve për poste konkrete.

“Ende nuk kemi diskutime konkrete për pozicione. Diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje, nuk kemi emra konkret, nuk kemi arritur në atë fazë”, kishte deklaruar kreu i LDK-së.

Tutje Abdixhiku paralajmëroi se nëse nuk ka progres në javët në vijim, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

“Po përpiqemi për zgjidhje derisa ka takime. Nëse nuk bëjmë asgjë për tri javët e ardhshme, zgjedhjet i kemi të pashmangshme”, tha ai.

Kosova ka hyrë në 9-ditëshin e fundit për zgjedhjen e presidentit, derisa 28 prilli shënon ditën e fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të dielën se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, por të arrihet konsensus.

Ajo ka thënë se në qoftëse ka vullnet, marrëveshja mund të arrihet brenda orësh.

Më 28 prill përfundon afati që Gjykata Kushtetueses e ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Mospërmbyllja e suksesshme e këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco