jykata Kushtetuese i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.
Kushtetuesja i ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryeministrit Albin Kurti në emër të Qeverisë dhe atë të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu ka konstatuar se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës 34 ditëshe, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit (të mërkurën).
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se aktgjykimi konfirmoi se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se dekreti i shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën. Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo ka bërë thirrje që gjatë ditëve në vijim deputetët të angazhohen për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, të cilat i ka cilësuar të panevojshme dhe të padrejta.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ky subjekt politik do të mbledhë sot kryesinë dhe deputetët për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.
“Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë Çitaku.
Mbledhja e PDK-së është paraparë të mbahet sot në orën 14:00.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese sjell qartësi në një moment të rëndësishëm institucional dhe rikthen procesin në Kuvend, duke u dhënë deputetëve afat për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Abdixhikut, përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit mbetet te shumica parlamentare, e cila duhet të ofrojë zgjidhje, ndërsa ka theksuar se LDK beson se kjo çështje duhet të zgjidhet me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese dhe jo me imponim.
Ai ka bërë të ditur se LDK është e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve, por ka theksuar se nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.
“Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”, ka shkruar Abdixhiku.
Përmes një komunikate ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës. Presidenca përmes një komunikate ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Presidentja ka ftuar Kuvendin që qysh sot ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në njoftimin e saj, Presidenca thotë se edhe gjykata e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.
“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Presidenca ka thënë tutje se gjykata në asnjë paragraf nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes.
“Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”.
Ndërkohë, u ka bërë thirrje deputetëve që urgjentisht ta kryejnë detyrimin për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”.
© SYRI.net