Osmani: Do të angazhohem me administratën Trump për të ruajtur aleancën Kosovë–SHBA

Osmani: Do të angazhohem me administratën Trump për të ruajtur aleancën Kosovë–SHBA

19:28, 17/09/2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë sot se do të angazhohet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën mes dy vendeve. 

Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, ku ka folur për rëndësinë e ruajtjes së aleancës Kosovë – SHBA dhe koordinimin.

“Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, të sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Si presidente e vendit tim do të angazhohem me administratën e presidentit Donald Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë të bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”. 

 

Biseda telefonike me diplomatin amerikan Brendan Hanrahan, vjen pak ditë pasi SHBA-ja njoftoi për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik që Osmani shpresonte ta finalizonte këtë vit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12 shtator e kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar. Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco