Dëshmia e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, si dëshmitari i parë për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, ka përfunduar për sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, për të vazhduar nesër për ditën e tretë radhazi.
Çfarë dëshmoi Rubin në ditën e dytë?
Ai e nisi dëshminë me përshtypjen fillestare të Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1999, duke thënë ato kishin përshtypje më ndryshe.
Rubin tregoi se si fillimisht e përshkruanim atë si organizatë me aktivitete terroriste, duke shtuar se “ne, natyrisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste".
"Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë", u shpreh ai.
Rubin gjithashtu theksoi se organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë.
I pyetur nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të OKB-së, ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, Rubin tha se hezitoi t’i besonte raportit.
"Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh", ka thënë ai.
Në lidhje me autorin e shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit...
Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.
Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.
Ish-diplomati amerikan kishte kritika për Gjykatën Speciale.
Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.
“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson", tha Rubin.
Ai gjithashtu dëshmoi se nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK dhe se si SHBA-ja e konsideronte Thaçin si udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.
Rubin më pas zbuloi një bisedë telefonike mes Hashim Thaçit dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.
“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.
Gjithashtu, sipas Rubinit, ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.
Rubin tha se kishte dëgjuar Çekun të përmendte një Shtab të Përgjithshëm dhe vendime të një qeverie të përkohshme që do të konsideroheshin si urdhra për UÇK-në, por tha se këto deklarata i shihte si përpjekje për të krijuar imazhin e vlerave demokratike dhe të kontrollit civil mbi ushtrinë.
“Ata donin që bota të dëgjonte se ushtria po i përgjigjej një autoriteti civil”, tha Rubin, duke shtuar se kjo ishte e menduar për të tërhequr qeveritë perëndimore.
Ai theksoi se, sipas tij, në atë kohë nuk kishte një qeveri të përkohshme funksionale dhe as një Shtab të Përgjithshëm të organizuar. Përkundrazi, drejtuesit e UÇK-së ishin të shpërndarë në zona të ndryshme të një zone lufte.
“Shpesh ata e ekzagjeronin për të krijuar përshtypjen se ishin më të organizuar sesa në të vërtetë, dhe për të treguar se përqafonin parimet demokratike”, tha Rubin, duke nënvizuar se këto paraqitje kishin për qëllim fitimin e mbështetjes ndërkombëtare.
James Rubin e vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se Christopher Hill nuk ishte miqësor me Hashim Thaçin në Rambuje.
“E dija se Chris Hill do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Bobe Dole”, tha Rubin.
Roli i Adem Demaçit
Sa i takon rolit të Adem Demaçit, Rubin tha se ndikimi i tij ishte ideologjik e jo ekzekutiv dhe se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ishin ato që, në fund, i mundësuan Hashim Thaçit të kapërcente rezistencën e tij.
Rubin kujtoi se gjatë bisedimeve, Thaçi u përpoq ta bindte Demaçin gjatë një takimi në Slloveni, por nuk ia doli të ndryshonte qëndrimin e tij. Megjithatë, Thaçi vazhdoi dhe e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të Demaçit.
Sipas dëshmisë së Rubin, pika vendimtare erdhi nga garancitë që Thaçi mori drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara - prej tij vetë, nga sekretarja Albright dhe nga gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.
Angazhimi ishte i qartë: nëse UÇK-ja do të nënshkruante dhe Serbia do të refuzonte, atëherë Uashingtoni do të udhëhiqte një fushatë ushtarake kundër forcave serbe.
Seanca vijon nesër
Seanca do të vazhdojë edhe nesër, kur kryetari i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith III, do të ketë mundësinë të parashtrojë pyetje, nëse vendos ta bëjë këtë. Po ashtu, të drejtën për pyetje plotësuese e kanë edhe Prokuroria dhe mbrojtja.
© SYRI.net