Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, vazhdon dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.
James Rubin tha se Hashim Thaçi “nuk më ka thënë asnjëherë fjalë për fjalë se çfarë duhet të bënte apo se me kënd duhej të konsultohej”.
“Thaçin e njoha në Rambuje dhe ai nuk ishte i hapur me mua, e as unë më. Ai nuk më tregonte çfarë duhet të bënte dhe pse i bënte”, tha Rubin.
Ai theksoi se për të ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.
“Ai ishte shumë i mjegullt në gjuhën e tij, thoshte se duhej të konsultohej me komunitetin, me udhëheqësit, me popullin. Unë nënkuptova që [Adem] Demaçi ishte shumë i rëndësishëm, sepse ai kishte folur me Medeleine Albright dhe ishte ndër personat që nuk ishte në favor të Rambujesë. Fakti që duhej të konsultohej me të, sipas meje, ai përpiqej që t’i përfshinte të gjithë në proces. Nuk e di a i kërkohej ta bënte këtë.”
'Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK' tha ai, citon REL.
Thaçi u zotua para presidentit Clinton se nuk do të kishte hakmarrje
James Rubin dëshmoi edhe për një telefonatë të Hashim Thaçit me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.
“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.
“Nuk do të merrnin hak gjatë kohës kur trupat serbe po largoheshin dhe NATO-ja do ta merrte përsipër situatën. Sigurisht që mund të kishte akte dhune në këto situata, por presidentit Clinton i kishte bërë shumë përshtypje kjo dhe këtë ma tha Berger”.
Hill bënte komente negative për Thaçin
James Rubin e vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se Christopher Hill nuk ishte miqësor me Hashim Thaçin në Rambuje.
“E dija se Chris Hill do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Bobe Dole”, tha Rubin.
I pyetur nga gjykatësi Christoph Barthe nga Gjermania nëse Thaçi po fshihej kur erdhi koha për ta nënshkruar marrëveshjen, Rubin theksoi: “Qëndrimi nuk do të ishte i shkreti Thaçi është fshehur, por Hill tha ‘pse nuk është këtu ai”, “pse bën ai sikur është një person i rëndësishëm”.
“Unë isha në dijeni që Hill kishte ndikim në këtë situatë, dhe do përpiqesha të thosha se ka arsye që nuk është këtu, ndoshta ka mbetur në bjeshkë, ndoshta është në rrezik”, tha Rubin.
Rubin tha se Thaçi i kishte thënë se i duhej të udhëtonte maleve sepse kishte fletarrestim për të nga Serbia në mars 1999.
Ai tha se nuk e kishte parë fletarrestimin por i besonte.
© SYRI.net