Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Balaj të Ferizajt, ku një 40-vjeçar është vrarë me armë zjarri.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se viktima është me inicialet B.R., ndërsa i dyshuari kryesor, që tashmë është arrestuar nga policia, është gjithashtu një familjar i tij, rreth të 50-ave, po me iniciale B.R.
Lajmin për mediat e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli.
LEXO EDHE: Kosovë/ Vritet një 40-vjeçar në Ferizaj
“Me datën 15.09.2025, rreth orës 19:42, kemi pranuar një informatë se në fshatin Balaj të Ferizajt ka ndodhur një vrasje. Viktimë është një person mashkull, i moshës rreth 40 vjeç. Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka sekuestruar një armë zjarri. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante nën udhëheqjen e prokurorit të shtetit. Për informata të detajuara do të njoftoheni me raport vijues,” deklaroi Veseli.
Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje tragjike vijojnë.
© SYRI.net