Autoritetet kosovare arrestojnë një të dyshuar për krime luftë gjatë 1999 në Kosovë

Autoritetet kosovare arrestojnë një të dyshuar për krime luftë gjatë 1999 në Kosovë

17:00, 15/09/2025

Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të hënën (15 shtator 2025)  një tjetër të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.

Arrestimi i tij u krye në kufirin juglindor me Serbinë,në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.

I dyshuari i  identifikuar vetëm si D.N. akuzohet se bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, “ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit”.

Ai dyshohet t’i ketë kryer krimet në periudhën nga 13 prilli deri më 30 prill të vitit 1999. Prokuroria tha se do të kërkojë që ai të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.

Së fundmi Prokuroria Speciale ka ngritur disa akuza për krime që janë kryer gjatë luftës më 1998-'99.

Në gusht, ajo madje ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i dorëzoi lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco