Ish-zyrtari amerikan Rubin rrëfeu për takimin e tij me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën.
Ai tha se Thaçi e kishte njohur përmes televizionit, pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. Sekretarja Madeleine Albright e kishte inkurajuar që të bisedonte me Thaçin dhe të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me të.
“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra”, tha Rubin. Ai shtoi se gjatë takimeve përpiqej të kalonte sa më shumë kohë me Thaçin, duke ecur bashkë dhe duke diskutuar çështjet e rëndësishme.
Në atë kohë, Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj Rubin shpjegoi se shpesh përdorej gjuha e trupit dhe se përkthyesit diplomatikë ishin të pranishëm gjatë bisedimeve.
Rubin tha se, atëkohë, kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë. “Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin, duke kujtuar momentin e takimit. Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Pikërisht këtë synova në punën time me të t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.
© SYRI.net