Sot, i pari që do të dalë në bankën e dëshmitarëve është James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.
Javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin theksoi se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”.
Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.
Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Kush është James Rubin?
James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.
Aktualisht, ai shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe London School of Economics, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.
© SYRI.net