Kosova pezulloi punën e Fondit serb për Sigurime Shëndetësore dhe Pensionale

Kosova pezulloi punën e Fondit serb për Sigurime Shëndetësore dhe Pensionale

14:43, 12/09/2025

Inspektorati i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka pezulluar punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga kjo komunë në veri të Kosovës.

Komuna e Mitrovicës së Veriut tha se më 12 shtator, me asistencën e Policisë së Kosovës, kreu kontrolle në hapësirat ku vepronin këto institucione të Serbisë.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur. Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, thanë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkroi në X se “kjo është një goditje ndaj sistemit shëndetësor” dhe vlerësoi se bëhet fjalë për një fushatë parazgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë më 12 tetor.

Ai shtoi se “hapat e njëanshëm minojnë dialogun, rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe në mënyrë të qartë shpërfillin të drejtat themelore të njeriut dhe marrëveshjet ekzistuese”.

Në vitin 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i tha një grupi mediash në gjuhën serbe më 4 shtator se të gjitha institucionet paralele serbe, përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Megjithatë, theksoi se mënyra se si do të bëhet ky integrim është thelbësore dhe, sipas saj, duhet të zhvillohet vetëm përmes konsultimeve me komunitetin serb.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco