700 € në muaj për të informuar shërbimin sekret serb! Një tjetër spiun e BIA-s në Kosovë

700 € në muaj për të informuar shërbimin sekret serb! Një tjetër spiun e BIA-s në Kosovë

10:27, 11/09/2025

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë sot kundër një personi, të cilin e akuzon se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për më shumë se 15 vjet.

Në një njoftim për media, Prokuroria e identifikoi të dyshuarin vetëm me inicialet H.S., i cili ishte arrestuar në maj të këtij viti, ndërsa mediat e Kosovës e identifuan si Hysri Selimi.

Sipas aktakuzës, ai kishte bashkëpunuar me BIA-n serbe “nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025”.

Ai gjithashtu kishte “udhëtuar në Siri, duke ju bashkuar organizatës terroriste ISIS” në fund të vitit 2015.

Ai akuzohet se u kishte dërguar të dhëna zyrtarëve të BIA-së në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Shtetin Islamik (IS), organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.

“Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell të dhëna tjera të rëndësishme”, thuhet në aktakuzë.

Për spiunimin ishte paguar nga BIA serbe deri në 700 euro në muaj për bartjen e të dhënave, sipas prokurorëve.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco