Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, theksoi rëndësinë e respektimit të proceseve kushtetuese dhe domosdoshmërinë e krijimit të institucioneve gjithëpërfshirëse dhe multietnike.
Kjo në një takim që ai pati, me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha.
“Diskutuam për nevojën për të respektuar proceset kushtetuese dhe për të siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike. BE është këtu për të mbështetur Kosovën – formimi i Qeverisë dhe komisioneve të Kuvendit është kyç për të ecur përpara me Planin e Rritjes,” ka deklaruar Orav pas takimit.
Ai tha se vonesat në formimin e institucioneve kanë ndikuar në pengesat për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, një nismë e BE-së që synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes financiare, integrimit ekonomik dhe reformave strukturore.
“Presim me padurim që këto zhvillime dhe Plani i Rritjes të sjellin përfitime konkrete socio-ekonomike për popullin e Kosovës,” shtoi Orav, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional në funksion të progresit ekonomik dhe integrimit evropian të vendit".
Met the newly elected 🇽🇰 Assembly Speaker Dimal Basha today.
We discussed the need to respect constitutional processes, ensuring inclusive, multi-ethnic institutions.
The 🇪🇺 is here to support 🇽🇰-the formation of the Gov. &AoK committees is key to progressing w/the #GrowthPlan. pic.twitter.com/0iN3zPQOtG
Kuvendi është vlerësuar i pakonsituuar ende edhe për disa ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë që Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende. Jorn Rohde dhe Jonathan Hargreaves, në takimet që kanë zhvilluar me Presidenten Vjosa Osmani, kanë kërkuar që hapat e mbetur për konstituim të bëhen në përputhje me Kushtetutën.
Pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.
Osmani e ka pritur të hënën në takim Bashën, ku ai ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit. Osmani e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.
© SYRI.net