Presidenca e Kosovës ka anuluar tenderin e shpallur për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të ri të Presidencës në zonën “Prishtina e Re”. Vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 25 mijë euro, teksa ishin dorëzuar tri oferta.
Në njoftimin e publikuar në platformën e-Prokurimi thuhet se “Zyra e Presidentes të Republikës së Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për arsye se janë krijuar rrethana të reja të cilat na pamundësojnë të procedojmë tutje me këtë aktivitet”, pa dhënë detaje tjera, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Vendimi për anulimin e tenderit është marrë më 29 korrik.
Kompanitë që kishin ofertuar janë “IPE-PROING SH.P.K” me çmim 17 mijë e 500 euro; “ALB-Architect SH.P.K”, me çmim 19 mijë e 900 euro dhe grupi i operatorëve ekonomik “FST Engineering SH.P.K, AL Engineering SH.P.K, GJEO-PROJEKT SH.P.K”, me çmim 16 mijë e 697 euro.
Sipas njoftimit për kontratë, objekti i ri do të duhej të përfshinte krahun ceremonial, atë të punës, krahun e këshilltarëve politikë, hapësirat plotësuese të punës, krahun rezidencial, krahun administrative, krahun operacional dhe mbështetës si dhe hapësira opsionale.
Tek pjesa rezidenciale parashihej një suitë e gjumit e Presidentes, dhomë private e familjes për qëndrim të përbashkët, dhoma private për ushqim, dhoma private e studimit, kopshti dhe oborri privat si dhe pesë dhoma për mysafirë.
Ndërkohë, tek krahu ceremonial parashihej edhe një sallë e ballove.
Pas njoftimit për kontratë, kishin shpërthyer kritika ndaj Presidentes.
Presidenca kishte dalë me një reagim ku kishte thënë se Osmani asnjëherë s’ka kërkuar ndërtim të ndonjë residence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private e as ndonjë luks tjetër personal.
“Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës.”, thuhej në reagim.
Aty thuhet se Presidentja nuk ka autorizuar ndërtimin e suitave apo hapësirave private, por ka kërkuar vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare, përfshirë një suitë pritjeje për mysafirët ndërkombëtarë dhe homologët që vizitojnë Kosovën — praktikë standarde në çdo presidencë në botë.
“Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës.”.
Në reagim ishte thënë se në sallat ku priten liderët botëror ndihet era e kanalizimit, për shkak se Kreu i Shtetit nuk e ka një objekt të posaçëm për realizimin e detyrave.
“Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur.”, thuhet në një njoftim të Presidencës.
© SYRI.net