Zjarret kërcënonin banorët në Kosovë, ndërhyn KFOR me avionë nga ajri për shuarjen e vatrave

Zjarret kërcënonin banorët në Kosovë, ndërhyn KFOR me avionë nga ajri për shuarjen e vatrave

12:07, 28/07/2025

Jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova po lufton me zjarret, që në disa zona kanë kërcënuar seriozisht zonat e populluara.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka njoftuar se vetëm nga ora 14:00 deri në 20:00 të së dielës janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri në territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, 35 prej tyre janë ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar nga ekipet emergjente.

Situata më e rënduar paraqitet në Komunën e Klinës, konkretisht në fshatrat Siqevë dhe Resnik, ku zjarret janë më të fuqishme dhe përhapja më e shpejtë.

Për shuarjen e vatrave të zjarrit këtë të hënë është angazhuar edhe misioni KFOR i udhëhequr nga NATO, ku përmes avionëve amerikanë vazhdon të ndihmojë Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës në luftimin e zjarreve që prekin pjesë të ndryshme të rajonit.

‘Dy ekipe UH-60 Black Hawk nga KFOR-i, të pajisura me kova Bambi, kryen hedhje të shumta uji nga ajri mbi rajonet e prekura nga zjarret, duke punuar për të kontrolluar flakët që kërcënonin popullsinë civile dhe infrastrukturën lokale. Gjatë një periudhe dy-orëshe, ekipet përfunduan 18 hedhje uji, duke sjellë më shumë se 43,500 litra ujë në zonën e prekur’, thuhet në njoftimin e KFOR-Kosovë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke kërkuar që të shmangen çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambient të hapur apo djegia e mbeturinave.

Çdo vatër e dyshimtë duhet të raportohet menjëherë në numrat emergjentë: 112, 193 ose 192.

“Agjencia, në bashkëpunim me Zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, mbetet në gatishmëri të plotë. Falënderojmë zjarrfikësit për përkushtimin e palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen, si dhe qytetarët për bashkëpunimin”, thuhet në reagimin nga AME.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco