Afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po shteron. Bazuar në rrjedhën e seancave nga 15 prilli, që janë mbajtur çdo 48 orë, ka mbetur vetëm edhe seanca e sotme para 26 korrikut,ndonëse nuk dihet nëse seancë mund të thirret edhe nesër, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ditën e djeshme,Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur të caktojë masë të përkohshme ex officio, përmes së cilës ndalohen çdo vendim dhe veprim i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në Aktgjykimin e parë (pas kërkesës së AAK-së). Masa e përkohshme e Kushtetueses, e përcakton se kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Kjo pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Mbi pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, Kosova nuk ka ende institucione të reja. Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas tre muajsh që nga mbajtja e seancës së parë konstituive, atë të 15 prillit. Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik, afat ky që përfundon të shtunën.
Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur, por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.
Në vazdimin e seancës konstituive, që pritet të nis në orën 11:00, të pranishëm do të jenë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
© SYRI.net