Katër persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të dyshuarit, dy burra dhe dy gra, janë zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrës në Komunën e Gjakovës.
Sipas Policisë, hetimet kanë treguar se gjatë viteve 2018 dhe 2019, këta zyrtarë kanë lëshuar në mënyrë të paligjshme pëlqime dhe vendime për parcelizim dhe bartje pronash në emër të personave të tretë, pa dijeninë dhe pa autorizimin e pronarëve legjitimë.
Të dyshuarit janë marrë në pyetje në prani të avokatëve të tyre dhe ndaj tyre është hapur çështje penale për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Me vendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
© SYRI.net