Për të 42-në herë me radhë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në përpjekje për t’u konstituar, por pritjet janë që edhe kjo seancë të përfundojë pa rezultat. Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përpjekjeve të presidentes Vjosa Osmani për të ndërmjetësuar mes forcave politike, nuk ka sinjale për zgjidhje.
Lëvizja Vetëvendosje vijon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por përballë ka një front të gjerë kundërshtues. PDK dhe AAK kanë kërkuar zëvendësimin e saj, duke e konsideruar jo unifikuese, ndërsa LDK ka bërë të ditur se nuk do të votojë asnjë emër të propozuar nga Vetëvendosje.
Në këtë klimë tensioni dhe bllokimi, presidentja Osmani ka folur të enjten për media, duke përmendur mundësinë e votimit të fshehtë si një rrugë për të dalë nga kriza, por theksoi se për një procedurë të tillë nevojitet konsensusi i deputetëve. “Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë,” deklaroi ajo, duke shtuar se ky është interpretimi i ekipit të saj ligjor.
Në rast të dështimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim mbi pasojat juridike të kësaj situate. “Moskryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja,” tha ajo, duke nënvizuar se nuk mund të vazhdohet pafundësisht në këtë qerthull politik.
Pavarësisht qëndrimeve të kundërta të partive, presidentja nuk përjashton mundësinë e një afrimi të pozicioneve deri në përfundimin e afatit. Megjithatë, për momentin, bllokada institucionale mbetet e thellë, duke e lënë vendin në një situatë të pasigurt politike dhe kushtetuese.
© SYRI.net