Mbyllet procesi i regjistrimit, Kosova pritet të ketë 1.6 milionë banorë

Mbyllet procesi i regjistrimit, Kosova pritet të ketë 1.6 milionë banorë

07:11, 28/05/2024

Kosova pritet të ketë 1.6 milionë banorë, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke treguar se të dhënat zyrtare do të publikohen nga mesi i muajit korrik.

Agjencia e Statistikave të Kosovës nëpërmjet një konference për media ka njoftuar zyrtarisht për mbylljen e procesit të regjistrimit të popullsisë.

Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, në një konferencë për media tha se Kosova pritet të ketë 1.6 milionë banorë.

“Është ditë e madhe për Kosovën dhe për të gjithë. Projekt madhor që ka vlerë në disa fusha. ASK falënderon të gjithë për bashkëpunim në këtë process të regjistrimit të popullsisë. Kosova pritet të ketë 1.6 milionë banorë”.

Drejtori i ASK-së po ashtu bëri të ditur se janë regjistruar edhe 600 mijë qytetarë që jetojnë në diasporë, ndërsa shtoi se pret që numri të rritet pasi afati për regjistrimin e diasporës është shtyrë deri në gusht.

Kastrati gjithashtu bëri të ditur se një pjesë e të dhënave do të publikohen gjatë muajit korrik, ndërsa të dhënat finale do t’i publikojnë pas 6 muajsh.

Ai po ashtu njoftoi se në procesin e regjistrimit të popullsisë kanë marrë pjesë të gjitha komunitetet, por vetëm një pjesë e serbëve në veri kanë refuzuar regjistrimin.

Procesi i regjistrimit të popullsisë ka nisur më 5 prill dhe ka përfunduar më 17 prill.

Por, në disa komuna ky proces është vazhduar edhe për një javë.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.  Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20 mijë euro, për biznese.

Rreth 1.6 milion banorë të Kosovës besohet se kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në procesin e mëparshëm të regjistrimit të popullsisë, të mbajtur në vitin 2011, patën marrë pjesë rreth 1.74 milion banorë.

Për dallim nga regjistrimi paraprak, këtë vit, diaspora e Kosovës e ka pasur mundësinë të regjistrohej online përmes portalit eKosova.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se ky proces tani është zgjatur deri në fund të gushtit.

Sipas të dhënave të ASK-së, deri më tani besohet do të jenë rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës, të cilët nuk janë përfshirë në shifrën prej 1.6 milion banorëve që besohet se jetojnë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e ka zgjatur procesin e regjistrimit sivjet – që ka nisur më 5 prill dhe duhej të përfundonte më 17 maj – për shtatë ditë, pas kërkesave nga disa komuna për zgjatje të afatit./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco