Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë të premten se propozimi i Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.
Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.Ambasada amerikane tha se ky propozim nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.
“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatë, shkruan REL.
“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik, nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.
Ajo e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.
“Kushtetuta e BeH nuk u jep të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”
Veprimet e Dodikut, sipas Ambasadës, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.
© SYRI.net