Serbët në veriun e Kosovës bojkotojnë referendumin për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave

Serbët në veriun e Kosovës bojkotojnë referendumin për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave

17:44, 21/04/2024

Të dielën në veriun e Kosovës po mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe, që do t’u hapnin rrugën zgjedhjeve të reja, por mes thirrjeve të Listës Serbe për bojkotimin e tyre, votimi nuk pritet të përmbushë këtë synim.

Deri në orët e vona të pasdites sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë vetëm disa qindra veta nga rreth 46,500 votues të regjistruar.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual.

Në muajin janar qytetarët serbë në komunat veriore nënshkruan një peticion për shkarkimin e kryetarëve dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli ditën e votimit për shkarkim.

Por, ndonëse mori pjesë në nënshkrimin e peticionit, Lista Serbe e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi njoftoi me 7 prill se nuk do të marr pjesë në votime duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë. Lista tha se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes është edhe fryrja e listës së votuesve, por pa ofruar ndonjë provë për këtë pretendim.

Vendimi nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i kërkuan kësaj partie ta rishqyrtojë vendimin ndërsa qeverisë së Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e ngritura nga qytetarët në veri të vendit.

Autoritetet në Prishtinë akuzuan Beogradin për trysni ndaj serbëve të Kosovës.

Pavarësisht situatës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi vazhdimin e procesit duke hapur 23 qendra votimi. Sipas udhëzimeve, qytetarët mund të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i komunës të shkarkohet.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00.

Tani për tani është e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse dështon referendumi që kërkon 50 për qind plus një të votuesve, meqë një i tillë nuk mund të organizohet para se të kenë kaluar 12 muaj.

Procesi i organizimit të zgjedhjeve të reja në veri ishte mbështetur nga perëndimi në përpjekje për uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që vazhdojnë të mbeten të larta.

Serbia reagoi me zemërim gjatë javës pasi Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë. Beogradi është hedhur në fushatë për te penguar votimin në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi në muajin maj. Të mërkurën autoritetet e Beogradit bllokuan nëpër vendkalimet kufitare për më shumë se 18 orë shumë udhëtarë nga Kosova që po ktheheshin në shtëpi nëpër territorin e Serbisë. Ndonëse Beogradi tha se nuk bëhej fjalë për pengim por “shtim të masave të sigurisë”, Prishtina akuzoi Serbinë për veprime hakmarrëse pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dënuan cenimin e lëvizjes së lirë.

Më herët gjatë këtij muaji Lista Serbe, i bëri thirrje komunitetit serb ta bojkotojë regjistrimin e popullsisë që filloi me 5 prill.

Javën që vjen Kosova dhe Serbia do të mbajnë një raund të ri bisedimesh në Bruksel lidhur me përdorimin e dinarit në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb, një çështje që nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, por është mospajtimin e diplomatëve perëndimorë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për të nxitur zbatimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon, pasi një oficer i policisë së Kosovës u vra me 24 shtator të vitit të kaluar nga një grup serbësh të armatosur në veri.

Bashkimi Evropian i ka paralajmëruar të dyja palët së dështimi për të normalizuar marrëdhëniet dëmton aspiratat e tyre për anëtarësim në bllok.

Në tetor të vitit të kaluar, udhëheqësit evropianë i kërkuan Beogradit të përmbushë të gjitha marrëveshjet që çojnë në njohjen “de facto” të Kosovës, ndërsa Prishtinës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco