Krejt çka dihet për ngjarjen tragjike në Prishtinë ku mbeti një i vrarë dhe dy të plagosur

Krejt çka dihet për ngjarjen tragjike në Prishtinë ku mbeti një i vrarë dhe dy të plagosur

08:34, 27/03/2024

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.

I riu, Egzon Haziri sipas Sinjalit (rreth moshës 30 vjeçare), ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave.

Haziri s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

Vdekjen e të riut e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkohë që dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Dyshohet se gruaja e moshës 49-vjeçare që u plagos rëndë ka qenë kalimtare e rastit dhe nuk ndërlidhet me konfliktin që rezultoi me vrasje e plagosje. Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë, sipas burimeve të Expressit.

Gjithashtu, burimet tregojnë se viktima dyshohet se ka të kaluar kriminale.

Rasti raportohet se ka ndodhur mbrëmë në rrugës ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë.

Ndërkohë lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët pohuan se po kryejnë ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Agron Borovci, zëdhënës në policinë rajonale të Prishtinës ka dhënë detaje nga ngjarja.

“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku  fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë”, tha Borovci për Express.

Policia po punon në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, teksa e plagosura po trajtohet në QKUK.

“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco