'Protesta në veri përfundoi pa incidente'/ Policia e Kosovës tregon se sa persona morën pjesë

'Protesta në veri përfundoi pa incidente'/ Policia e Kosovës tregon se sa persona morën pjesë

14:45, 12/02/2024

Policia e Kosovës lidhur me protestën e mbajtur këtë të hënë në shesh të Mitrovicës së veriut, me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

“Ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Siç ka njoftuar Policia, në protestë kanë marrë pjesë rreth 1 mijë e 800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura.

Protesta ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident.
Serbët në veri protestojnë kundër ndalimit të dinarit

BQK-ja e ka publikuar rregulloren e re më 17 janar, dhe ajo ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Banka Qendrore ka bërë të ditur se rregullorja e tyre nuk ndalon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro dhe nuk kufizon aktivitetin këmbimor të valutave nga institucionet financiare.

Të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet.
Ndërsa, ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë te secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BKQ), të cilin e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj.

Ai, gjithashtu, ka theksuar se nuk ka plane për masë ndëshkuese dhe se do t’u jepet kohë serbëve etnikë për t’u përshtatur me këtë ndryshim.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco