Qytetarët e Kosovës dhe Tajlandës 'shpejt' do udhëtojnë pa viza

Qytetarët e Kosovës dhe Tajlandës 'shpejt' do udhëtojnë pa viza

18:13, 12/11/2023

Kosova dhe Tajlanda synojnë të thellojnë dhe zgjerojnë edhe më shumë bashkëpunimin bilateral, derisa planifikojnë të miratojnë një skemë të përjashtimit nga kërkesa për pajisje me vizë për qytetarët e të dyja vendeve për të festuar 10 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe diplomatike.

Shefja e misionit diplomatik të Kosovës në Bangkok, Ulpiana Lama, në një prononcim për gazetën tajlandeze “Bangkok Times” të dielën, ka thënë se shënimi i 10-vjetorit të marrëdhënieve bilaterale është një rast i mirë për të çuar marrëdhëniet Kosovë-Tajlandë në një tjetër nivel.

“Të dyja vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, por ne duam t’i afrojmë njerëzit më afër njëri-tjetrit. Ne po punojmë me autoritetet tajlandeze dhe agjencitë qeveritare për të përjashtuar të gjithë qytetarët nga kërkesa për vizë. Jemi në rrugën e duhur. Shpresojmë se shumë shpejt do të kemi lirinë e lëvizjes”, ka thënë diplomatja kosovare.

E pyetur për afatin kohor për lirimin e qytetarëve nga kërkesa për vizë, ajo ndër të tjera ka thënë se kjo është çështje procedurale, por procesi i tejkalimit të pengesave veçse ka filluar, derisa ka shprehur optimizmin se qytetarët e të dyja vendeve do të udhëtojnë të lirë brenda një viti.

Kosova dhe Tajlanda kanë nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2013, pak kohë pas njohjes zyrtare nga ky shtet, derisa në vitin 2018 kanë nënshkruar një momerandum mirëkuptimi për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco