Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit: Gabimet e pushteteve të shkuara ende po na dëmtojnë

Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit: Gabimet e pushteteve të shkuara ende po na dëmtojnë

18:24, 05/11/2023

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vizituar sot në trevjetorin e shkuarjes në Hagë, familjen e Rexhep Selimit.

Ai me këtë rast ka thënë se pret që ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të kthehet i lirë në Kosovë.

“Mbetemi të patundur në bindjen se UÇK-ja e drejtë ka qenë dhe e pastër. Prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta, atëherë kur vendosej për to. Por ja që, gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

10-shi fitimtar e çlirimtar, Rexhep Selimi na mungon!

Rexhep Selimi tash e tri vjet mban burgun në Hagë. Deputeti ynë qysh prej vitit 2010 kur vendosëm së pari të marrim pjesë në zgjedhje, gjithmonë fitimtar, gjithmonë çlirimtar. Ish-kryetari i grupit tonë parlamentar, ish-anëtari i kryesisë, të cilin mezi e presim të na kthehet, për këto detyra e për detyra të tjera të rëndësishme. Mbetemi të patundur në bindjen se UÇK-ja e drejtë ka qenë dhe e pastër. Prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta, atëherë kur vendosej për to. Por ja që, gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë.

Sot, kryeministri Kurti, bashkë me kryeparlamentarin Konjufca, Sekretarin Organizativ, Alim Rama, shefen e Grupit Parlamentar të LV, Mimoza Kusari-Lila, deputetin, Salih Zyba, këshilltarin e kryeministrit për Maqedoni të Veriut, Bekim Qoku, kryetarin e Gostivarit, njëherësh kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe deputetin e ASh, Halil Snopçe, ishin në vizitë te familja e Rexhep Selimit në Prishtinë, te Shqipe Mehmeti-Selimi, deputetja jonë, ish-luftëtarja e UÇK-së, bashkëshortja e Rexhep Selimit.

Rexhep Selimi na mungon. Kërkojmë dhe urojmë që sa më parë të lirohet nga gjykata e padrejtë, nga mbajtja e padrejtë në Hagë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco