Sulmi terrorist, Gjermania dërgon Manuel Sarrazin në Kosovë

Sulmi terrorist, Gjermania dërgon Manuel Sarrazin në Kosovë

11:16, 02/10/2023

Prishtina zyrtare akuzon Beogradin për organizimin dhe pajisjen e grupit të sulmuesve në veri, ndërsa Serbia mohon përfshirjen në sulmin që nxiti shqetësime të reja ndërkombëtare për stabilitetin e rajonit.

Nga Deutsche Welle

I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarrazin brenda një jave dy herë qëndroi në Kosovë për të diskutuar me autoritetet kosovare situatën e sigurisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri ku nga një grup i armatosur serb, mbeti i varë një polic i Kosovës dhe tre sulmues. Sarrazin i shoqëruar nga ambasadori gjerman Jörn Rohde, nuk folën për mediat pas takimit të dielën pasdite me kryeministrin Kurti, ndërsa, ku i fundit tha se pas sulmit të 24 shtatorit, "veprimet destabilizuese të Serbisë vijuan dhe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës”.

"Kryeministri Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë”, thuhet në një njoftim nga kryeministria. Sipas Kurtit, "marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën, ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”.

Britania e Madhe dërgon në Kosovë 200 ushtarë të saj

Për të garantuar sigurinë në Kosovë, të premten NATO-ja njoftoi se ka miratuar forca shtesë për Kosovën, duke theksuar se "KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”. Në këtë kuadër Britania e Madhe, sipas Sekretarit të Mbrojtjes Grant Shapps, dërgon në Kosovë 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror, për t'iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që gjenden tashmë në Kosovë.

Admirali Sir Tony Radakin, Shef i Shtabit të Mbrojtjes, tha se "ky vendim demonstron përgjegjshmërinë e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar dhe se zgjerimi i mbështetjes për forcat e KFOR-it "nënvizon përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Sveçla: Serbia tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, sulmuesit u trajnuan në baza serbe

Autoritet kosovare vazhdojnë të prezantojnë prova për siç thonë "përfshirjen e institucioneve të Serbisë në mbështetje të sulmit të 24 shtatorit”.  Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë”.

"Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë me këtë sulm, por, faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaonik”, tha Sveçla në një konferencë për medie së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha. Ky i fundit tha se "grupi që e kreu sulmin në Banjskë ishte trajnuar për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe”.

"Plani i sulmuesve ka qenë plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që ne e kemi, të cilat nuk mund t'i ndajmë me ju tani, ka një plan për aneksimit të veriut të paraparë në fazën fillestare në 37 pocizione, nga ku do të sulmoheshin njësitet tona policore, jo vetëm në Banjskë e Zveçan, por, në të gjitha pjesët veriore, e pastaj krijimi i një korridori të lirë për Serbi dhe furnizimet tjera me njerëz, materiale, ekspertë dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realiteti të ri në vend”, tha Hoxha.

Këto pretendime të autoriteteve kosovare, mohohen nga autoritetet  në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se "brenda 24 orëve” ai do t'ia paraqesë publikut provat dhe tregimet e dëshmitarëve që ishin në vendin e ngjarjes”, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. "Serbianuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta për atë që ndodhi në Banjskë”, ku mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe të paktën tre sulmues serbë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, gjatës ditës së hënë 2 tetor kanë paralajmëruar konferencë për media për t'iu përgjigjur akuzave të autoriteteve kosovare për "përfshirjen e shtetit të Serbisë në ndihmë grupit të armatosur në sulmin e 24 shtatorit. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco