Mitrovicë e Veriut: Skadon sot afati për lirimin e godinës nga strukturat ilegale serbe Foto ilustrim: Lagja e boshnjakëve, Mitrovicë e Veriut

Mitrovicë e Veriut: Skadon sot afati për lirimin e godinës nga strukturat ilegale serbe

07:37, 08/09/2023

Kosovë - Sot skadon afati i vendimit për ta shtyrë edhe për dy javë lirimin e objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut, nga institucionet që funksionojnë nën sistemin e Qeverisë së Serbisë.

Objekti që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, aktualisht shfrytëzohet nga 4 institucione që funksionojnë si struktura paralele.

Ditë më parë në një intervistë për RTK-në, Erden Atiq ka theksuar se lirimi i këtij objekti do të ndodhë përfundimisht më 8 shtator, pa shtyrje të mëtutjeshme.

Për kryetaren e Iniciativës së Re Sociale, Jovana Radosavljeviq, dita e premte mund të sjellë përsëritje të skenave që kemi parë më 26 maj, nëse nuk arrihet një kompromis.

“Ajo që është më realiste dhe që mund të presim në këtë moment, është skenari i mundshëm i 26 majit, kur kryetarët e komunave dhe pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës hynë me  dhunë në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.  Deri në ndonjë zgjidhje kompromisi apo shtyrje të këtij vendimi nga institucionet e Kosovës, potencialisht mund të presim edhe incidente, por duke u mësuar nga përvojat e muajve të kaluar, shpresoj se në këtë situatë KFOR-i do të jetë në gatishmëri dhe do të reagojë më shpejt në krahasim me 26 maj'', ka thënë Jovana Radosavljeviq- Iniciativa e Re Sociale

Veton Elshani, Zv. Komandant i Policisë për Veri, i ka thënë RTK-së se nuk kanë kërkesë zyrtare për të asistuar në lirimin e objektit.

Për vendimin e Atiq pati reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se roli i kryetarëve aktualë në komunat veriore të vendit është administrativ dhe vendimet e tilla ndikojnë në rritjen e tensioneve në veri të vendit.

Ndërkohë, dje gjatë gjithë ditës, kryetari i komunës, Erden Atiq, nuk u është përgjigjur pyetjeve të redaksisë, nëse qëndron prapa këtij vendimi, ashtu siç ka deklaruar ditë më parë, kur tha se vendimi  nuk do të shtyhet edhe për një datë tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco