Kosovë/ Nis subvencionimi me 10 milionë euro për termoizolimin e mureve të jashtme, kulmeve dhe ndërrim të dritareve për familjet

Kosovë/ Nis subvencionimi me 10 milionë euro për termoizolimin e mureve të jashtme, kulmeve dhe ndërrim të dritareve për familjet

14:46, 08/08/2023

Nga sot qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro. Kjo do të bëhet në kuadër të projektit në vlerë 10 milionë euro që financohet nga Bashkimi Evropian.

Fondi i Kosovës për Eficiencë të Energjisë ka prezantuar thirrjen publike për projektin “Zbatimi i masave të eficiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar se ky projekt ka vlerë rreth 10 milionë euro dhe se përmes tij qytetarët do të subvencionohen rreth 45 për qind për investimet efiçiente në shtëpitë e tyre. Ajo nënvizoi prioritetin që e kanë për efiçiecën e energjisë, derisa tha se dy vitet e fundit kanë ulur kërkesën për energji për 4 për qind.

“Të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë subvencion prej 45 për qind të vlerës së investimit për të rinovuar shtëpitë e tyre për t’i bërë ato më efiçiente. Qytetarët mund të aplikojnë për rinovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve dhe izolimin e kulmit. Me prezantimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër dhe më i freskët në verë. Ky investim do të ndikojë direkt për faturën e energjisë elektrike për familjet por edhe për nevojën për subvencione në rast të krizave që jemi përballur viteve të kaluara”.

Kurse, anëtarja e Bordit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë, Nora Arifi, ka treguar se nga ky projekt do të përfitojnë 2000 familje kosovare. Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Europian, me këtë rast u përshëndet nisja e tij nga përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është hapur thirrja për masat e reja për rritjen e eficiencës energjetike në shtëpitë private. Kurti ka pohuar se përmes këtyre masave, qytetarët do të mund të përfitojnë nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Ai ka shtuar se subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro.

“Për t’ua lehtësuar investimet në shtëpitë tuaja me qëllim që të keni dimra më të ngrohtë e vera më të freskëta, falë përkushtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe angazhimit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë nga sot kemi hapur thirrjen për masat e reja për rritjen e eficiencës energjetike në shtëpitë private. Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro”.

Kurse, për familjet ku shtëpia është bashkëpronësi e të dy bashkëshortëve apo në pronësi të gruas, subvencionimi arrin 50%.

“Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 10,000 familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje. Këtë vit kemi trefishuar buxhetin për pajisje dhe me 20 milionë do të investojmë në eficiencë të shtëpive të banimit e ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social”.

Ndryshe, ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së eficiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.

Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të eficiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.

Subvencionimi përkatësisht rimbursimi i kostos së zbatimit të masave është i kufizuar në masën deri në 45%, apo shumën maksimale deri në 5,500 Euro si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar. Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco