Policia e Kosovës, thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes nga emailet mashtruese që vijnë në emër të saj

Policia e Kosovës, thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes nga emailet mashtruese që vijnë në emër të saj

10:50, 27/07/2023

Prishtinë - Policia e Kosovës e ka paralajmëruar edhe njëherë tjetër sot, popullatën, në lidhje em emailet mashtruese që i janë dërguar qytetarëve në adresat e tyre në internet gjoja në emër të saj, që të mos mashtrohen dhe t’i denoncojnë ato menjëherë në polici.

Madje, Policia ak publikuar dhe modelin e emailit apo dokumentit të rremë që po i dërgohet qytetarëve “me qëllime të caktuara” siç shprehet në deklaratë.

Në njoftim thuhet:  

Policia e Kosovës.  me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, me datë 17 korrik ka bërë publike njoftimin zyrtar si dhe reagimin ndaj qarkullimit dhe shpërndarjes nëpër email-e të ndryshëm të disa informacioneve dhe dokumenteve false, që gjoja i përkasin Policisë së Kosovës dhe gjoja janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës dhe njëherazi lidhur me këtë kishte sqaruar se:

Shpërndarja e këtyre email-eve, gjoja se janë email-e zyrtarë të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të Policisë së Kosovës, logo qeveritare, vula të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, gjoja se janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate - nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës e aq më pak, të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovë, por janë emaile dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e theksojmë se në email-in dhe dokumentin e falsifikuar janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës dhe logot e ndryshme, por e ritheksojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të Policisë së Kosovës si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës.

Me qëllim që të sqarohet opinioni dhe personat të cilët mund të pranojnë ndonjë email apo dokument të tillë, Policia e Kosovës po e bën publik këtë dokument të falsifikuar dhe formën e emal-it po ashtu të falsifikuar, të cilat i gjeni të bashkangjitura, me qëllim që të mos krijohen shqetësime të panevojshme te qytetarët.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të email-eve, dokumenteve të tilla, dhe vazhdimin e shpërndarjes së tyre, me kohë ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës njofton edhe njëherë qytetarët dhe i fton që të mos bien pre e dezinformacioneve, mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë email a dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të Policisë së Kosovës  (info@kosovopolice.com) për trajtim dhe kompetencë të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco