Kurti kërkon nga ndërkombëtarët të dënojnë zëshëm çfarëdo fushate kërcënimi ndaj policëve serbë

Kurti kërkon nga ndërkombëtarët të dënojnë zëshëm çfarëdo fushate kërcënimi ndaj policëve serbë

11:47, 26/07/2023

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se fushatat në rrjete sociale që kanë për qëllim frikësimin e pjesëtarëve të rinj të policisë nga komuniteti serb, janë të papranueshme për qeverinë.

Këto komente Kurti i bëri në një konferencë për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

“Më lejoni që t’u uroj edhe njëherë fillim të mbarë të punës gjeneratës më të re të policisë së Kosovës, veçanërisht nga komunitetet joshumicë në komunat veriore të vendit tonë. I përgëzoj për kurajon e tyre për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe vullnetin e tyre për t’i shërbyer rendit dhe sigurisë në vend, sidomos 46 policët e rinj nga komuniteti serb. Fushata në kanale e platforma sociale që ka për qëllim frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne, edhe pse jam i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vet tyre”, tha Kurti.

Kurti po ashtu shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar kërcënimi e linçimi ndaj policëve, si dhe duhet të jenë të zëshëm ndaj trysnive të Beogradit.

“Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë profesionistë të guximshëm. Ata janë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë qytetarë të cilët kanë dashurinë për vendin dhe e shprehin këtë duke i kontribuar atij. Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar kërcënimi e linçimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë. Në të njëjtën kohë duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e integrimit të plotë të tyre në jetën institucionale të Kosovës. Ata që integrohen jetojnë më mirë, ky është fakt. Ata që nuk integrohen fatkeqësisht mbesin peng e subjekt i trysnisë financiare dhe keqpërdorimit politik nga Beogradi zyrtar. Kjo po dëshmohet në vazhdimësi. Institucionet tona pa dyshim që do t’i ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj ashtu sikurse komunitetit prej nga vijnë e ku do të shërbejnë”, tha Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco