Përfundon takimi i Kurtit me Borrellin dhe Lajçakun

Përfundon takimi i Kurtit me Borrellin dhe Lajçakun

17:34, 22/06/2023

Ka përfunduar takimi mes Albin Kurtit, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në pasditen e së enjtes, në Bruksel, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, pa përfundimit të takimit me Kurtin tani ka nisur takimi tjetër ndërmjet Borrellit dhe Lajçakut, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Për takimin me Kurtin, Borrell është deklaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter.

 ‘Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për ndalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara’, ka shkruar ai.

 

 

Takimet në Bruksel me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp të enjten nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se në takimin e Brukselit do të insistojë për ‘lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco