Beograd, gjysmë ore takim i Escobar dhe Lajçak me Aleksandër Vuçiç Nga një takim i mëparshëm i Vuçiç me dy diplomatët, dhjetor 2022

Beograd, gjysmë ore takim i Escobar dhe Lajçak me Aleksandër Vuçiç

20:54, 06/06/2023

Emisari amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak, ndodhen  tashmë në Serbi, ku takuan presidentin e këtij vendi, Aleksandër Vuçiç.

Siç njofton korrespondentja e RTK-së në Beograd, Anamari Repiq, në këtë takim  ndodhej edhe shefi i delegacionit të BE-së si edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Megjithatë, për dallim prej takimit të mbrëmshëm mes Escobarit e Lajçakut me Kurtin në Prishtinë, takim që zgjati rreth 2 orë, në Beograd ajo me presidentin serbe përfundoi për rreth gjysmë ore.

Gazetarja e RTK-së tha se nga ky takim ende nuk ka njoftim për media, megjithatë tha se nga deklarimet publike të presidentit të Serbisë, në rrjetet sociale, është kuptuar për temat e bisedës.

Ajo tha se Vuçiç ka shkruar se Serbia është e përkushtuar për partneritet në rajon dhe se sipas tij, “Prishtina duhet të përmbushë obligimet e saj me formimin e Asociacionit sipas marrëveshjes së Brukselit”.

Vuçiç ka shkruar në instagram se shtetet perëndimore që kanë ndikim te Kosova, mund ta detyrojnë të atë që t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara.

Duke cituar kreun e shtetit serb, gazetarja Repiq tha se ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta përmbushë obligimet  veta.

“Dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, ka shkruar Vuçiqi.

Megjithatë, gazetarja e RTK-së tha se për detaje më të sakta, pritet që më vonë të ketë edhe një komunikatë për media.

Ajo rikujtoi e ky takim është vazhdimësi e takimeve në të emisarëve amerikan e evropian në Kosovë,  dhe tani mendohet të bisedohet për situatën në veri, se cilat mund të jenë mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen për veri.

“Emisarët kanë kërkuar nga Beogradi, hapa konkret si tërheqja e ushtrisë nga afërsia e kufirit me Kosovën dhe uljen e nivelit të gatishmërisë ushtarake të ushtrisë serbe”, tha gazetarja e RTK-së.

“Ajo çfarë Beogradi zyrtar kërkon është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu”, tha ajo, duke rikujtuar se  pritet të shihen mesazhet e ndërkombëtarëve nga ky takim.

Ndërkohë, Vuçiç ka shkruar se nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco