Situatë e qetë në veri, Syri.net Kosova raporton nga Leposaviqi dhe Zveçani

Situatë e qetë në veri, Syri.net Kosova raporton nga Leposaviqi dhe Zveçani

09:55, 31/05/2023

Në Zveçan dhe Leposaviq kanë dalur një numër më i madh i serbëve në ditën e tretë të tensioneve në veri të vendit, pasi Policia i asistoi të premtën kryetarët e rinj shqiptarë që të futeshin në komuna. Serbët janë mbledhur edhe në Zubin Potok.

Edhe atje, KFOR-i i ka marrë masat e njëjta, pasi të hënën rreth 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s mbetën të lënduar në një përplasje me protestuesit e dhunshëm të cilët i goditëm me ç’kishin ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.

Protestuesit serbë në Zveçan shpalosën një flamur të Serbisë rreth 250 metra të gjatë.

Para protestuesve në Leposaviq dhe Zveçan po qëndrojnë telat rrethorë me gjemba, e më pas pjesëtarët e KFOR-it me pajisjet e tyre.

Një numër i serbëve u mblodhën edhe në afëersi të Komunës së Zubin Potokut nga ora 07:00. Aty janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përveç ushtarëve të KFOR-it.

Situata për momentin është e qetë në të tri qytetet, kështu raportohet nga vendi i ngjarjes ku po qëndrojnë dy gazetarët e Syri.net Kosova, Albionë Zhitia dhe Çlirimtare Dukolli.

ImageImageImage

Përfaqësues të Listës Serbe kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, që janë tërhiqja e kryetarëve shqiptarë dhe policëve të Kosovës nga komunat veriore.

Kërkesë të njëjtë i kanë bërë kryeministrit Albin Kurti edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Eurpian. Këmbëngulja e shefit të Qeverisë së Kosovës se kryetarët duhet të shkojnë në komuna rezultoi me përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i madh ndërkombëtar ushtarak i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha të martën se kjo është “pasoja e parë” për Qeverinë e Kosovës, që, siç tha ai, nuk i dëgjoi kërkesat e Washingtonit për shtensionimin e situatës në veri.

Thirrja e fundit për shtensionim ka ardhur pas mesnate nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili konsideron se vendimi i Qeverisë së Kosovës “për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në web-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Të premtën, Blinken kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco