Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, detaje nga takimi Osmani-Escobar

Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, detaje nga takimi Osmani-Escobar

19:20, 20/05/2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim në Podgoricë me të dërguarin e posaçëm të ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, raporton Syri.net Kosova

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se Osmani është duke qëndruar në Mal të Zi, dhe se takimin me Escobar e ka zhvilluar pas inaugurimit të presidentit të ri të këtij shteti, Jakov Milatoviç.

Në njoftim thuhet se, në takimin mes Osmanit dhe Escobar është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre. Në këtë kontekst, Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca.

Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco