Kosovë: 45 mijë votues zgjedhin krerët e komunave në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan

Kosovë: 45 mijë votues zgjedhin krerët e komunave në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan

07:10, 23/04/2023

Sot do të mbahen zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan dhe zgjedhjet për kuvende komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, raporton RTKlive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka miratuar planin operativ për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi , dje ftoi qytetarët e këtyre komunave, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë dhe të zgjedhin kryetarët e tyre

Fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen në veri kanë arritur dhe do të shpërndahen në qendrat e votimit.

Katërdhjetë e pesë mijë votues të katër komunave në veri të Kosovës kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen të dielën në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Qytetarët e këtyre katër komunave do të mund të votojnë në 19 qendra të votimit, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, ndërsa 13 qendra janë alternative. Në mbledhje u miratua edhe pika për dy ekipe mobile.

Kjo është hera e dytë që tentohet të mbahen zgjedhjet në veri pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave vitin e kaluar. Ndërkohë në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për asamble komunale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco